
Shqipëria arriti të kualifikohet për herë të parë në histori në “Play Off” të Botërorit. Kuqezinjtë zhvilluan një fazë shumë të mirë eliminatore, duke dhuruar paraqitje jo shumë të bukura, por me rezultat.
Kështu, Shqipëria e mbyll këtë edicion me vetëm 2 humbje, të cilat i pësoi kundër Anglisë. Këta të fundit, zhvilluan 8 ndeshje në grup dhe i fituan të gjitha, e për më tepër shënuan plot 22 gola dhe nuk pësuan asnjë. Ndërkohë, edhe Shqipëria bëri një edicion që do të mbahet mend gjatë, pasi përveç Anglisë, asnjë skuadër tjetër nuk e pati shansin që të merrte fitore kundër ekipin tonë kombëtar. “Panorama Sport” ju sjell më poshtë statistikat e kuqezinjve në këtë garë të vështirë, për të marrë vendin e dytë në grupin tonë.
MBROJTJA- Silvinjo duket se ka krijuar një mbyllje hermetike në skuadër. Është shumë e vështirë që kuqezinjtë të pësojnë gol dhe këtë e tregojnë shifrat e këtij edicioni. Kështu, në 8 ndeshjet e zhvilluara deri më tani, Shqipëria ka pësuar vetëm 5 gola në 8 ndeshjet që ka zhvilluar, gola nga të cilët 4 ia ka shënuar Anglia. Kjo do të thotë se mbrojtja e Shqipërisë ka qenë protagonistja absolute në këto kualifikuese dhe vetëm Letonia, ka qenë skuadra tjetër që ka arritur të gjejë golin ndaj skuadrës sonë. Pikërisht atë ndeshje, Shqipëria nuk e ka fituar dhe e ka mbyllur në barazim 1-1, gjë e cila solli jo pak stres te kuqezinjtë, deri pas fitores në Leskovc. Kështu, duke përjashtuar Anglinë, Shqipëria ka zhvilluar 6 ndeshje me rivalët direkte në të cilët ka shënuar 7 gola dhe ka pësuar vetëm 1.
SULMI- Për të dëshiruar, ka lënë sulmi i Shqipërisë. Në 8 ndeshje të luajtura, ka shënuar vetëm 7 gola, por vlen të theksohet fakti se golat e shënuar kanë qenë vendimtarë duke dhënë pikë. Golin e parë, e shënuam në ndeshjen ndaj Andorrës në Tiranë, i cili u pasua edhe nga 2 gola të tjerë në të njëjtën ndeshje. Kjo ishte fitorja më e thellë e Shqipërisë, me rezultatin 3-0 dhe e vetmja në të cilën shënuam më shumë se 1 gol. Më pas, nuk arritëm të shënonim në asnjë ndeshje më shumë gola, duke u ndalur në barazim pa gola me Serbinë e në barazim 1-1 me Letoninë. Me të njëjtin rezultat, fituam më pas kundër Letonisë, kundër Serbisë dhe në fund kundër Andorrës, rezultate këto minimale por me vlera të jashtëzakonshme për kualifikimin tonë. Anglia është skuadra e vetme të cilës nuk i kemi shënuar asnjë gol në 2 ndeshje, ndërsa Andorra skuadra që ka pësuar 4 gola nga ne.
RASTET- Kuqezinjtë kanë pasur raste për të fituar ndeshjet edhe më thellë dhe këtë mund ta faktojë jo më larg se rasti i Nedim Bajramit në Leskovc, ku në minutat e fundit të ndeshjes doli i vetëm para portierit por gaboi. Një penallti, është humbur edhe nga Rei Manaj në Tiranë kundër Serbisë, ndërsa Berat Gjimshiti goditi traversën në sfidën e fundit ndaj Andorrës.
Problemi i madh që kishin lojtarët tonë në këto kualifikuese, ka qenë numri i goditjeve në kuadrat për ndeshje. Shqipëria e ka mbyllur edicionin me 25 gjuajtje në portë, nga 8 ndeshje të luajtura. Natyrisht, ky është një numër i ulët i goditjeve duke menduar rastet që kemi pasur sepse vetëm raste të arta për gol, kanë qenë 11, nga të cilat 7 i kemi humbur e të cilat kemi arritur t’i shënojmë. E thënë ndryshe, Shqipëria ka shënuar me një mesatare prej 0.9 golash për ndeshje dhe ka pësuar 0.75 gola për ndeshje. Mesatarisht, kuqezinjtë e godasin portën vetëm 3 herë në ndeshje, shifër kjo që pasqyron edhe numrin e ulët të golave.
GRUPI- Sulmi më i mirë në grupin tonë ka qenë absolutisht ai i Anglisë, i cili ëhstë njëkohësisht edhe një nga sulmet më të mira në Europë. Sa i përket pjesës së rivalëve të tjerë, Serbia ka pasur një sulm më të mirë se yni, por më pak efikas. Serbët kanë shënuar 9 gola në 4 ndeshje, duke përjashtuar këtu Shqipërinë dhe Anglinë të cilave nuk iu ka shënuar asnjë gol në 4 sfida. Kuqezinjtë kanë sulmin e tretë më të mirë duke lënë pas vetëm Andorrën dhe Letoninë. Anglia padyshim më e mira në mbrojtje me asnjë gol të pësuar, ndërkohë që 5 ka pësuar Shqipëria. Golaverashi i Anglisë, është +22, i Shqipërisë +2, i Serbisë -1, i Letonisë -10 dhe në fund i Andorrës është -13.
and then