Situata nga moti i keq/ Reshjet e shiut shkaktojnë dëmtime në ura dhe rënie gurësh e inertesh në disa rrugë nacionale. Evakuohet familja me 5 anëtarë në Thumanë

Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme në disa fshatra të qarkut të Kukësit, ku raportohen për dëmtime të urave dhe rënie dherash e inerte në disa rrugë nacionale. Sipas informacionit nga Emergjencat Civile, në Ujmisht ka rënie gurësh dhe inertesh në rrugë në Lusèn, Malqene dhe Tejdrinë, po ashtu dhe në Zapod.

Si rezultat i erës është dëmtuar dhe mbulesa e një çatije në shkollën e fshatit Bele.  Në Kolsh, si rezultat i vërshimit të ujrave janë dëmtuar rrugët e fshatit Myç-Mamëz dhe Mamëz të aksit rrugor Kukës-Surroj, ndërsa në Tropojë, në disa zona janë evidentuar problematika në disa ura.

Konrketisht, si pasojë e prurjeve të mëdha të ujit janë dëmtuar këmbët mbajtëse të tyre. Gjithashtu, për shkak të amortizimit, disa ura kanë pësuar dëmtime në  shtrojën e tyre.

Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin prej orëve të para të ditës së sotme kanë krijuar problematika në disa zona, ku strukturat e Emergjencave Civile, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, janë angazhuar për të ndihmuar qytetarët.

AKMC informoi se për shkak të pranisë së ujit në banesa, është kryer evakuimi i një familje prej pesë anëtarësh nga ekipet e Forcave të Armatosura në fshatin Dukagjin i Ri, njësia administrative Thumanë.

Në njësinë administrative Zejmen, si pasojë e vërshimit të përrenjve të Prullit dhe Pllanës, ka prani uji në katër banesa. Banorët janë akomoduar përkohësisht nga strukturat vendore.

Forcat e emergjencave kanë kryer tërheqjen e ujit dhe pastrimin fillestar të ambienteve të prekura.

Në qarkun e Durrësit vijon puna në terren për eliminimin e pasojave të reshjeve në njësitë Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm. Niveli i ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm është brenda kuotave normale. Hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallaj vijojnë punën me kapacitet të plotë.

Në qarkun Dibër situata paraqitet e qetë, përveç mungesës së energjisë elektrike në njësitë Kala e Dodës, Sllovë, Zall-Dardhë, Reç, Lurë dhe pjesërisht në Arras e Fushë-Çidhën.

Grupet e OSHEE po punojnë për riparimin e defekteve.

Në bashkinë Kurbin në qarkun Lezhë vijon puna për normalizimin e situatës në Mamurras dhe fshatrat Gjorëm, Zhejë dhe Fushë Mamurras. Në fshatin Shpërdhe, rruga është dëmtuar nga ujërat e lumit Droje. Puna vijon edhe në segmentin Skuraj-Gallatë-Vinjollë, i cili mbetet i bllokuar për shkak të dëmtimit të urës mbi lumin Vinjollë. Nivelet e ujit në lumenjtë Drin dhe Mat janë brenda kuotave.

Në qarkun e Kukësit ka rënie inertesh në disa akse rrugore, dhe kompanitë kontraktore po punojnë për pastrimin e tyre. Segmenti Vranisht-Fajza (njësia Fajza, bashkia Has) është dëmtuar si pasojë e reshjeve.

Në qarkun Shkodër vijon pastrimi i inerteve në segmentin Gimaj-Bregu i Lumit (njësia Shalë) nga trupat e FA dhe punonjësit bashkiakë. Segmenti Ndërlysë-Breg Lumi mbetet i bllokuar; po punohet për hapjen e tij.

Në qarkun Elbasan nuk ka raportime për problematika, përveç rënies së inerteve në segmentet Elbasan-Librazhd dhe Elbasan-Rrogozhinë, të cilat po pastrohen nga operatorët e mirëmbajtjes.

Sa i përket situatës energjetike, AKMC njofton se ekipet e OSHEE po punojnë për rikthimin e energjisë në: disa fshatra të njësisë administrative Rubik (Mirditë), fshatrat Torocish, Kukës, Berishë dhe Lekbibaj të Tropojës, njësitë Kurvelesh, Zagori, Luftinjë dhe Dropull i Poshtëm (Qarku Gjirokastër), disa njësi administrative të qarkut Korçë.

Në qarqet e tjera të vendit nuk raportohen problematika.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me strukturat e mbrojtjes civile dhe ekipet e emergjencave për marrjen e masave në rast përkeqësimi të kushteve atmosferike.

 



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×