“700 familje shqiptare jetojnë me taksat tona”, Rama reagon pas deklaratës së Sekretares së Brendshme të Britanisë së Madhe: Zhgënjyese që…

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Sekretares së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Shabana Mahmood, e cila përmendi “rreth 700 familje shqiptare” që jetojnë në strehim të financuar nga taksapaguesit pas kërkesave të dështuara për azil, si argument për rifillimin e kthimit të familjeve.

Rama e cilësoi këtë deklaratë “zhgënjyese” dhe kritikoi faktin që një përfaqësuese e qeverisë laburiste po “i bën jehonë retorikës së së djathtës ekstreme populiste”, duke veçuar shqiptarët në një moment kur, sipas tij, Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë ndërtuar një nga partneritetet më efektive në Europë për luftën kundër migracionit të paligjshëm.

Kryeministri kujtoi se falë bashkëpunimit intensiv mes dy vendeve që prej fundit të vitit 2022, mbërritjet e parregullta të shtetasve shqiptarë në Britani janë “pothuajse të zhdukura”, duke theksuar se “kontrolli i migracionit ka funksionuar”.

Ai kritikoi gjithashtu kufizimet e lëvizshmërisë dhe vizave të vendosura nga Londra, duke i cilësuar si “relike të dështimeve të epokës Braverman”, të cilat, sipas tij, dëmtojnë jo vetëm lirinë e lëvizjes, por edhe vetë ekonominë britanike.

Rama nënvizoi se shqiptarët janë “kontribuues neto në ekonominë britanike” dhe se përfitimet që ata marrin nga shteti britanik janë shumë më të ulëta krahasuar me komunitete të tjera. “T’i veçosh vazhdimisht nuk është politikë — është një ushtrim shqetësues dhe i pahijshëm demagogjie,” u shpreh ai.

Kryeministri shtoi se Shqipëria mbetet një aleat kyç i Britanisë në çështjet e sigurisë dhe kontrollit të migracionit në Ballkan, dhe se në vend të fajësimit të shqiptarëve, Londra duhet të kërkojë mënyra për të thelluar bashkëpunimin në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×