Buxheti 2026, ministri Malaj: 202 mijë përfitues nga fshirja e detyrimeve tatimore e doganore

Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se lista e përfituesve nga fshirja e borxhit tatimor dhe doganor përmban 202 mijë tatimpagues.

Gjatë diskutimit për projektbuxhetin 2026 në seancën plenare të Kuvendit, ministri Malaj iu përgjigj një pyetjeje të deputetes së opozitës, Jorida Tabaku, mbi listën e përfituesve. Ai shpjegoi se për të marrë listën e plotë dhe të ndarë sipas nivelit të borxhit, do të duhej një kërkesë formale nga Kuvendi drejt Ministrisë së Financave, e cila do të mund të bëjë të ditur detyrimet tatimore dhe doganore që fshihen.

Ministri Malaj theksoi se qeveria ka miratuar së fundmi ligjin “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore dhe të detyrimeve të pagueshme në doganë”, i cili synon të lehtësojë barrën financiare të tatimpaguesve dhe të stimulojë rikthimin në aktivitet të subjekteve me borxhe të papaguara.

Sa i takon përfituesve nga paqja fiskale, Malaj sqaroi se ajo nuk diskriminon askënd dhe është një marrëveshje vullnetare për të gjithë tatimpaguesit që hyjnë në marrëveshje me administratën tatimore për të korrigjuar pasqyrat financiare ose për të rishikuar deklaratat e tre viteve të fundit.

Ai theksoi se kjo marrëveshje nuk ofron asnjë siguri juridike apo amnisti për personat që janë nën hetim apo kanë vendim të formës së prerë nga gjykata, duke nënvizuar se këto kategori janë të përjashtuara nga paqja fiskale.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×