Duhanpirja dhe obeziteti, sëmundjet kronike shkaku kryesor i vdekshmërisë dhe barrës ekonomike në Shqipëri

Sëmundjet jo të transmetueshme (SJT), të cilat prej vitesh përbëjnë shkakun kryesor të vdekshmërisë dhe barrës ekonomike në Shqipëri, janë në qendër të programit kombëtar që synon frenimin e faktorëve të rrezikut dhe uljen e vdekshmërisë së parakohshme deri në vitin 2030.

Strategjia e përditësuar, që harmonizohet me kornizën globale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbështetet në analizën e situatës, provat shkencore dhe progresin e deritanishëm, ndërsa synon të reduktojë presionin në rritje që këto sëmundje i shkaktojnë ekonomisë dhe sistemit shëndetësor.

Objektivat vendosin një ritëm të përshpejtuar uljeje të vdekshmërisë së parakohshme: 5% në vit deri në 2023, 10% deri në 2025 dhe 25% deri në vitin 2030, krahasuar me nivelin bazë të vitit 2010, në linjë me Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Për një vend ku SJT-të përbëjnë mbi 90% të vdekjeve dhe rëndojnë financat familjare përmes shpenzimeve të larta nga xhepi, arritja e këtyre objektivave është e lidhur ngushtë me qëndrueshmërinë e sistemit shëndetësor.

Në fushën e faktorëve të rrezikut, strategjia synon ulje të dukshme në disa prej indikatorëve kryesorë. Duhanpirja pritet të reduktohet me 20% deri në vitin 2030, përmes frenimit të rritjes së konsumit tek femrat, uljes së prevalencës tek të rriturit dhe zbutjes së trendit alarmant.

Sa i përket obezitetit, objektivi është të ndalet rritja e tij, në një kohë kur kostot që burojnë prej tij – nga diabeti tek sëmundjet kardiovaskulare – po rëndojnë gjithnjë e më shumë mbi familjet dhe mbi fondet publike.

Strategjia parashikon gjithashtu ulje me 10% të sedentarizmit tek fëmijët dhe të rinjtë, një nga faktorët me ndikimin më afatgjatë në barrën ekonomike të SJT-ve.

Për hipertensionin, synohet një ulje e prevalencës me 10% në popullatën adulte, me fokus tek grupmoshat mbi 50 vjeç dhe tek të rinjtë, duke rritur gjithashtu ndërgjegjësimin për diagnozën e hershme. Në rastin e diabetit, objektivi është ndalimi i rritjes së prevalencës.

Një komponent i rëndësishëm i strategjisë lidhet me vetë kapacitetin e sistemit shëndetësor, i cili, nëse nuk përforcohet, rrezikon të mos përballojë rritjen e kërkesës për trajtim kronik.

Për këtë arsye, programi parashikon që deri në vitin 2030, të paktën 80% e pacientëve të marrin terapi dhe këshillim me medikamente për parandalimin e aksidenteve ishemike në zemër dhe tru, duke përfshirë kontrollin e glicemisë.

Po ashtu, së paku 80% e mjeteve diagnostike dhe trajtimeve bazë për SJT-të kryesore duhet të jenë të disponueshme në të gjitha shërbimet publike dhe private, një standard i domosdoshëm për të shmangur kostot e larta të trajtimit të vonuar apo të mjekimit jashtë vendit.

Përballë tendencave të rritjes së sëmundshmërisë kronike, strategjia e re kërkon jo vetëm ndryshim sjelljesh, por edhe investime të qëndrueshme në parandalim, diagnostikim të hershëm dhe kapacitete shërbimesh.

Nëse objektivat arrihen, Shqipëria jo vetëm do të ulë vdekshmërinë e parakohshme, por edhe do të frenojë efektet ekonomike të SJT-ve — një prej sfidave më të mëdha të dekadës në shëndetësi./ D.Hyka



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×