Lezhë, problematikat nga moti i keq, rrezik përmbytje në disa banesa dhe pranë nënstacionit elektrik. Ndërhyhet me fadroma për largimin e ujërave

Pas përmirësimit të kushteve atmosferike gjatë ditës së sotme dhe reshjeve me intensitet të ulët, strukturat bashkiake në të gjithë qarkun Lezhë kanë vijuar punën në terren për të adresuar pasojat e përmbytjeve të ditëve të fundit. Situata paraqitet e qetë, ndërsa të gjitha forcat janë në gatishmëri.

Bashkia Lezhë

Gjatë ditës është punuar intensivisht në Njësinë Administrative Shëngjin, ku forcat e Forcave të Armatosura dhe ekipet bashkiake kanë larguar ujin nga oborret e banesave, pallateve dhe hoteleve. Në terren kanë qenë:

10 efektivë të FA-së

3 automjete dhe 3 pompa uji

11 punonjës bashkiakë

Në lagjen “Nënë Tereza”, pranë nënstacionit elektrik, është ndërhyrë me motorpompa dhe mjete të rënda për largimin e ujërave. Ndërkohë, është përfunduar pastrimi i kanaleve të dyta në njësitë Blinisht dhe Kallmet.

Edhe nesër pritet të vijojnë punimet për pastrimin e kanaleve, pusetave dhe mbetjeve të sjella nga ujërat. Furnizimi me energji elektrike në territorin e bashkisë është i normalizuar. Operacionet u drejtuan nga dy nënkryetarët e Bashkisë Lezhë.

Bashkia Kurbin

Punimet për riparimin e rrugës Skuraj–Gallatë–Vinjollë u ndalën rreth orës 17:30 dhe do të rifillojnë nesër. Në zonë janë dislokuar mjetet e Forcave të Armatosura, përfshirë një eskavator, kamion, rimorkiator dhe mjet transporti trupash, si dhe personel mbështetës.

Ndërkohë, ekipet bashkiake kanë punuar në Njësinë Mamurras për pastrim kanalesh dhe zhbllokim tombinosh. Furnizimi me energji elektrike është normal, përveç fshatrave Skuraj, Gallatë dhe Vinjollë, ku ka dëmtime të shtyllave elektrike. Punimet janë ndjekur nga kryetari dhe nënkryetari i bashkisë.

Bashkia Mirditë

Në fshatin Jezull, ura e tipit Bailey që lidh zonën me qytetin e Rrëshenit është dëmtuar rëndë dhe aktualisht është jashtë funksionit. Banorët po përdorin një rrugë alternative. Aksi Rrëshen–Bukmirë mbetet problematik për shkak të shembjeve të gurëve dhe rrëshqitjeve, ndërsa bashkia ka kryer ndërhyrje të përkohshme deri në hartimin e një raporti të detajuar.

Reshjet intensive kanë shkaktuar dëmtime në disa ura dhe pasarela në një sërë fshatrash, përfshirë Lekgegaj, Domgjon, Zall-Xhuxhë, Shpërdhaze, Thirrë dhe Xhakëz. Aktualisht, pa energji elektrike mbeten fshati Xhuxhë (për shkak të dëmtimit të shtyllave) dhe Katundi i Vjetër (si pasojë e djegies së transformatorit), me gjithsej 27 abonentë të prekur.

Kryetari i Bashkisë Mirditë zhvilloi mbledhjen e KMC, ku morën pjesë përfaqësues të prefekturës dhe institucioneve qendrore, të cilët u njohën nga afër me situatën problematike.

Ndërhyrjet e DUK dhe situata në terren

Mjetet e DUK kanë vijuar punimet në:

lumin Drojë (Mamurras, Kurbin)

zonën e Talës (Shënkoll, Lezhë)

Balldre (Bashkia Lezhë)

Sipas SEB, prezenca e ujërave në fusha është ende e dukshme: rreth 250 hektarë në territorin e bashkisë Lezhë dhe 300 hektarë në bashkinë Kurbin.

Procesi mësimor është zhvilluar normalisht në të gjitha shkollat e qarkut, megjithatë disa nxënës kanë munguar për shkak të dëmtimeve në ura dhe rrugë.

Gjatë ditës, operacionet në Kurbin dhe Mirditë janë monitoruar nga Prefekti i Qarkut dhe përfaqësues të AKMC-së.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×