Nga kompensimi pronarëve te investimet në dy burgje dhe konsolidimi i reformës në drejtësi, Lamallari tregon si ndahet buxheti i Ministrisë së Drejtësisë

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, prezantoi në Kuvend projekt-buxhetin e vitit 2026 për ministrinë që ai drejton. Në fjalën para deputetëve, Lamallari tha mes të tjerash se çdo shifër që prezantojmë sot është një reformë që vazhdon, një derë që hapet për qytetarin, një padrejtësi që korrigjohet, një standard europian që vihet në rrugën tonë drejt Shqipërisë 2030 në BE.

“Buxheti 2026 i Ministrisë së Drejtësisë është konceptuar si një buxhet që në thelb synon konsolidimin e reformës në drejtësi, duke garantuar funksionimin e çdo hallke të sistemit dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për një drejtësi, më të drejtë, për të gjithë! Buxheti i Drejtësisë mbase nuk prodhon ekonomi direkte, por është shumë më tepër se kaq: ky buxhet do të thotë dinjitet njerëzor sa herë një vendim gjyqësor ekzekutohet, sa herë një padrejtësi korrigjohet, sa herë një pronë kompensohet,sa herë një i mitur rehabilitohet apo një nënë e vetme dhe në pamundësi e nevojë merr ndihmë juridike falas”, tha Lamallari.

14.96 miliard lekë që do të jenë në dispozicion të Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2026, tha ministri Lamallari, do të përdoren për të realizuar objektiva të qarta dhe të matshme, si:

“• Konsolidimi i pavarësisë dhe efikasitetit të organeve të reja të drejtësisë dhe përmirësimi i kuadrit ligjor vendas në përputhje me atë të Bashkimit Evropian
* Shtimi dhe përmirësimi i ndjeshëm i shërbimeve publike ligjore,, më profesionale dhe më dinjitoze për çdo qytetar
* Forcimi i sistemit të drejtësisë për të miturit dhe rehabilitimi i tyre i orientuar drejt një të ardhme më të sigurt
* Ndihmë juridike falas, e aksesueshme për çdo qytetar në nevojë
Këto objektiva përputhen plotësisht me standardet evropiane dhe me objektivin e qartë të përmbushjes së kapitujve themelorë 23-24 të negociatave, tashmë të hapura plotësisht, në një kohë rekord”, u shpreh Ministri i Drejtësisë.

Lidhur me investimet në sistemin e burgjeve, Lamallari përmendi ndërtimin e IEPV Kukës dhe rikonstruksionin e IEPV Fushë Krujë. Për shërbimin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave janë parashikuar 2.83 miliard lekë për përshpejtimin e zgjidhjes së dosjeve të mbetura. Ndërkohë do të ketë rritje të burimeve njerëzore me 35 përmbarues gjyqësorë për të përshpejtuar ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.

“Buxheti që ne kemi sjellë në Kuvend nuk është vetëm një instrument financiar, por është lokomotiva që çon përpara shtetin e së drejtës në Shqipëri, duke e lidhur çdo investim me detyrimet dhe pritshmëritë që burojnë nga procesi i negociatave me Bashkimin Europian.Ky buxhet siguron vazhdimësinë e palëkundur të reformave të ndërmarra, rritjen e kapaciteteve aktuale, forcimin e transparencës dhe llogaridhënies, përmirësimin e aksesit në drejtësi, mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve dhe konsolidimin e besimit të publikut tek drejtësia. Ne po tregojmë se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropiam nuk është thjesht një arritje diplomatike, e as një proces burokratik e formal, por negociatat për ne janë transformim i përditshëm i shtetit dhe shoqërisë, ku drejtësia është shtylla kryesore. Ky është buxheti me të cilin Shqipëria bën hapat domethënëse drejt përmbylljes së kapitujve 23 dhe 24, i shërben një sistemi që mbron qytetarin, garanton sigurinë juridike dhe e vendos vendin tonë krenar në rrugën e aspiratës së madhe Shqipëria 2030 -Shtet i së Drejtës. Dy vitet e ardhshme janë jetike dhe vendimtare për shqiptarët, të cilët më në fund do të kenë drejtësi europiane, drejtësi me standarde të panegociueshme demokratike. Ky është premtimi ynë për çdo shqiptar. Kjo është puna e përditshme e qeverisë shqiptare”, tha ministri Lamallari.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×