
Politologu Ermal Hasimja, i ftuar në studion e emisionit “Oponencë” në News24, ka analizuar gjendjen e aktualitetit politik në vend, duke theksuar se problemi kryesor i përfaqësimit politik në Shqipëri lidhet me mënyrën si votojnë qytetarët.
Hasimja u shpreh se në një demokraci të vërtetë “të gjithë votojnë dhe të gjithë kanë votë të barabartë”, por në realitet Shqipëria është kthyer në “versionin më problematik të përfaqësimit”. Sipas tij, përfaqësuesit politikë thjesht pasqyrojnë nivelin e përgjithshëm të elektoratit.
“Nuk kemi pse çuditemi me nivelin e ulët të parlamentit tonë. Kemi një numër të madh votuesish që fatkeqësisht e gjejnë veten në këtë lloj Parlamenti në stilin e spektaklit,” deklaroi ai.
Duke komentuar zhgënjimin e qytetarëve me politikën, Hasimja theksoi se elitat e arsimuara janë një pakicë.
“Jemi 3 vetë këtu me diploma universitare, ne përfaqësojmë ndoshta 7% të shqiptarëve, por pjesa tjetër jo,” tha ai, duke shtuar se shumë njerëz e shohin politikën si sport ose si mjet për të siguruar punësim. “Ka thuajse 200 mijë vetë në administratë që jetojnë me taksat tona, në një vend ku duhet të kishim ndoshta 70 mijë,” vijoi ai.
Hasimja theksoi se, megjithëse shumë qytetarë nuk janë dakord me cilësinë e parlamentit, ata nuk përbëjnë shumicën. Prandaj, sipas tij, opozita duhet të jetë në gjendje të tërheqë edhe këtë kategori të gjerë votuesish. “Në Francë quhet pedagogji elektorale dhe duhet t’ia shpjegosh njerëzve se programi që ti ofron është më i miri. Këtë nuk e kemi sepse kjo kërkon guxim,” përfundoi politologu.
and then