
Në seancën plenare ku u diskutua mocioni për minimumin jetik, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, akuzoi qeverinë se prej 13 vitesh ka braktisur shtresat në nevojë, pensionistët dhe familjet shqiptare, duke mos siguruar as standardet minimale të jetesës.
Tabaku rikujtoi se minimumi jetik është një kërkesë e përsëritur e Partisë Demokratike prej disa legjislaturash, por edhe një detyrim ligjor që Kuvendi vazhdon ta injorojë.
Ajo theksoi se:
• 55% e familjeve shqiptare nuk arrijnë të mbyllin muajin;
• Çmimet e ushqimeve, nga 20% e mesatares së BE-së në vitin 2012, sot kanë arritur në 92% të çmimeve të BE-së;
• Shqipëria është e fundit në rajon për mbështetjen sociale dhe pensionet;
• Një çift pensionistësh në Tiranë ka nevojë për mbi 90 mijë lekë në muaj, shumë larg asaj që ofron qeveria.
“Pensionistët janë sot shtresa më e varfër. Qeveria refuzon sërish rritjen e pensioneve dhe nuk ofron asnjë politikë sociale që ndihmon shumicën”, u shpreh Tabaku, duke nënvizuar se shtesa prej disa lekësh në ditë për pensionistët “është tallje dhe jo politikë sociale”.
Ajo akuzoi qeverinë se buxheti i vitit të ardhshëm vazhdon të jetë një buxhet që favorizon pakicën, koncesionet dhe PPP-të, ndërsa lë pas dore shtresat në nevojë. “Kemi kaluar koncesione, aeroporte, porte, projekte të veçanta, por asnjëherë nuk jemi mbledhur të diskutojmë se si të ndihmojmë shtresat më të cenueshme”, nënvizoi deputetja demokrate.
Tabaku theksoi se vetëm abuzimet financiare të qeverisë mjaftojnë për të mbuluar disa herë koston e minimumit jetik dhe të rritjes së pensioneve:
• “50 milionë euro taksë korrupsioni në tunelin e Llogarasë mund të mbulonin dy herë faturën e pensionistëve”,
• “430 milionë euro nga inceneratorët mund të mbulonin katër herë rritjen e pensioneve”.
Deputetja bëri të qartë se PD do ta rikthejë menjëherë pas miratimit të buxhetit projektligjin për minimumin jetik si “një detyrim moral, politik dhe social ndaj qytetarëve”.
Ajo përsëriti thirrjen që Shqipëria t’i bashkohet vendeve të rajonit dhe BE-së që e kanë të përcaktuar qartë minimumin jetik. “Minimumi jetik vendos dinjitetin e qytetarëve. Pa të, asnjë reformë ekonomike nuk qëndron”, tha Tabaku.
Në përfundim, ajo u bëri apel deputetëve të mazhorancës të mbështesin këtë nismë:
“Shpresoj që kolegët socialistë t’i bashkohen kësaj nisme për t’u kthyer qytetarëve atë që u është mohuar prej 30 vitesh: një jetë me dinjitet.”
and then