
Si pjesë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, u zhvillua një mision i pavarur ekspertësh përmes instrumentit të Asistencës Teknike dhe Shkëmbimit të Informacionit të Komisionit Evropian (TAIEX). Ekipi i kryesuar nga ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Holandës, Klaas Knot, ndodhet këto ditë në Tiranë dhe po zhvillon takime me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë si edhe me krerët më të lartë të shtetit.
Qëllimi i misionit është të vlerësojë pavarësinë e bankës qendrore dhe të ofrojë këshillim strategjik të nivelit të lartë, për të përforcuar zbatimin e standardeve evropiane në këtë fushë. Sfondi i misionit lidhet drejtpërdrejt me procesin e zgjerimit të BE-së dhe nevojën për përputhje të plotë me acquis-në dhe praktikat më të mira të Shteteve Anëtare.

Komisioni Evropian e vlerëson pavarësinë e bankës qendrore si një parakusht të domosdoshëm për stabilitetin e çmimeve, besueshmërinë e politikës monetare dhe funksionimin e tregjeve financiare. Kjo qasje u theksua së fundmi edhe nga Christine Lagarde, Presidente e Bankës Qendrore Evropiane dhe Kristalina Georgieva, Drejtoreshë e Përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar, në mesazhet e tyre drejtuar konferencës së fundit të Bankës së Shqipërisë, ku u nënvizua pavarësia e bankës qendrore si gur themeli për stabilitetin makroekonomik dhe rritjen afatgjatë.

Një bankë qendrore e pavarur minimizon rrezikun e ndikimeve në vendimmarrjen monetare, rrit transparencën dhe llogaridhënien institucionale dhe ndihmon në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, elemente thelbësore këto për ekonomitë që synojnë anëtarësimin në BE.
Gjatë takimit me Guvernatorin u diskutua për hapat konkretë të përafrimit të kuadrit ligjor me acquis-në, dhe përforcimin e garancive të pavarësisë institucionale dhe financiare. “Banka e Shqipërisë mbetet plotësisht e angazhuar për të forcuar më tej pavarësinë dhe qeverisjen tonë institucionale, në përputhje me acquis-në të BE-së dhe praktikat më të mira evropiane.”- u shpreh Guvernatori Sejko.
Në vlerësimet e fundit të Komisionit është nënvizuar rëndësia e vazhdueshme e forcimit të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë, përfshirë përditësimin e plotë të Ligjit për Bankën e Shqipërisë dhe harmonizimin e aspekteve të pavarësisë personale të drejtuesve me kërkesat e acquis-së.
Në Progres Raportet 2023-2024 është vlerësuar se mbetet me prioritet përafrimi i plotë i ligjit me acquis-në, veçanërisht në këtë drejtim. Raportet kanë theksuar se objektivi kryesor i BSH-së është stabiliteti i çmimeve dhe se banka duhet të gëzojë pavarësi institucionale dhe financiare, por vihet në dukje se pavarësia personale e Guvernatorit mbetet vetëm pjesërisht e harmonizuar me acquis-në.
Pas takimeve në Tiranë, pritet që ekipi të përgatisë një paketë rekomandimesh që do t’i paraqiten Komisionit Evropian dhe më pas do t’u komunikohen autoriteteve shqiptare për veprime të mëtejshme, në funksion të përgatitjeve për anëtarësim.
and then