
Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme, e cila sot pezulloi nga detyra dhe i bllokoi pasaportën zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e marrë e pandehur nga SPAK në lidhje me hetimet për tenderin e tunelit të Llogarasë.
Nga selia blu, deputeti i PD-së, Klevis Balliu, deklaroi se ky zhvillim tregon se kryeministri Edi Rama “e ka sakrifikuar” Ballukun për të mbrojtur veten.
“Me këtë veprim të paprecedent, ku numri 2 i qeverisë largohet nga detyra me vendim gjykate, si të ishte një punonjëse e zakonshme magazini dhe jo një zyrtare e lartë e emëruar me dekret, Edi Rama tregoi se në panik është i gatshëm të bëjë gjithçka për t’i shpëtuar drejtësisë”, u shpreh Balliu.
Ai shtoi se Balluku “ka vepruar pas shpinës së Ramës”, ndërsa kritikoi faktin se sipas tij, as Rama dhe as Balluku nuk pranuan të jepnin dorëheqjen, duke e quajtur situatën “të turpshme”.
Deklaratë e Partisë Demokratike
Duke përdorur drejtësinë për të hequr qafe Belinda Ballukun, Edi Rama provoi edhe njëherë se, njeriu burracak nuk bëhet trim, as kur është në majën e piramidës së pushtetit.
Ai e trajtoi zëvendësen e tij, prapa shpinës së të cilës ‘kishte ngrënë dardha’ si dëm kolateral, si një e keqe prej së cilës duhet të shpëtonte sa me parë, nga frika se ajo po e merrte me vete dhe duhej larguar, jo nga ai, por kushdo tjetër, me një qëllim të vetëm, shpëtimin e karriges, pushtetit dhe kokës të vet.
Për turpin e tyre, dyshja Rama-Balluku treguan se nuk njohin institucionin e dorëheqjes.
Me këtë akt të paprecedent të largimit nga detyra, pra të flakjes si leckë me vendim gjykate të numrit 2 të qeverisë, sikur të ishte një magaziniere, dhe jo të shkarkimit të saj me propozim të Kryeministrit dhe dekret të Presidentit, ashtu siç është emëruar, Edi Rama faktoi se, në panik dhe tmerr është i aftë të bëjë gjithçka për t’i shpëtuar ligjit dhe drejtësisë.
Kërcënimit ‘po rashë unë, do të të marr me vete’ të Belinda Ballukut, Edi Rama zgjodhi t’i përgjigjej, jo duke e shkarkuar apo kërkuar dorëheqjen, siç ia kërkonte detyra, parimi, përgjegjësia politike, por me pritë pas shpine.
Sot të dy janë të poshtëruar, si Rama dhe Balluku, sepse ata janë në qendër të një labirinti krimi e korrupsioni, një rrethi vicioz ku kokat priten- por sistemi i së keqes qëndron.
Partia Demokratike e ka të qartë dhe thekson atë që ka thënë përherë: është Edi Rama koka e sistemit narkos dhe pa rënien e tij nuk ndryshon asgjë.
Nuk ka alternativë tjetër veç dorëheqjes së Edi Ramës. Kjo është kërkesa jonë dhe kushti i kohës.
Kjo e bën misionin e Foltores qytetaro-parlamentare edhe më jetik, kjo e bën lëvizjen opozitare një kërkesë të kohës, kjo e bën rrëzimin e narko-qeverisë një domosdoshmëri kombëtare.
and then