
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, deklaroi se projektbuxheti për vitin 2026 është një goditje e rëndë për qytetarët dhe se nuk sjell asnjë përmirësim të jetës së tyre. Ai e krahasoi këtë buxhet me Tunelin e Llogarasë, duke thënë se “nuk ka dritë në fund të tunelit” për interesin publik dhe se është projektuar vetëm për t’u vjedhur, njësoj si premtimet e pambajtura të ndërtimit të dy urave të tunelit.
Blushi u shpreh se ky është buxheti i thellimit të varfërisë, pabarazisë dhe mashtrimit, ndërsa e cilësoi si “më anti-socialin” që i jep më shumë pasuritë atyre që kanë gjithçka dhe ua heq edhe atë pak që u ka mbetur më të varfërve. Ai theksoi se buxheti i vitit të ardhshëm nuk ndalon shpopullimin, nuk garanton rritje reale të pensioneve, nuk përmirëson jetën e mësuesve, mjekëve, pedagogëve dhe infermierëve, nuk siguron shëndetësi falas dhe nuk i jep të rinjve mundësinë të ndërtojnë një jetë në Shqipëri.
Njësoj, tha ai, nuk ofron mbështetje për fermerët, minatorët dhe punëtorët e ndershëm që përballen me shfrytëzim të vazhdueshëm. Sipas Blushit, ky buxhet flet vetëm për shifra dhe projekte propagandistike, por jo për realitetin e mjerimit ku jeton shumica e shqiptarëve, përfshirë 70 për qind të fëmijëve që sipas Progres-Raportit jetojnë në varfëri. Ai deklaroi se është një buxhet që godet më të dobëtit dhe shpërblen më të fortët, dhe për këtë arsye vota e tij do të jetë kundër.
Sa i përket pensionistëve, Blushi tha se pavarësisht 12 viteve në pushtet, Edi Rama nuk ua ka përmirësuar jetën, madje fondi për politikat e reja të pensioneve rritet vetëm me 0.8 për qind, ndërkohë që inflacioni parashikohet në 3 për qind. Ai solli në vëmendje se pensionistët marrin më pak se 60 lekë shtesë në ditë, ndërsa pensionet shqiptare mbeten disa herë më të ulëta se ato në rajon. Blushi akuzoi qeverinë se u detyrohet pensionistëve mijëra euro të pambledhura nga mosindeksimi i viteve të fundit.
Në fjalën e tij ai u ndal edhe te bujqësia, të cilën e cilësoi në krizën më të thellë që ka kaluar ndonjëherë. Sipas tij, fermerët nuk kanë mbështetje, tregjet janë të deformuara dhe programi IPARD është bllokuar për shkak të aferës së inceneratorëve, duke humbur 112 milionë euro fonde. Ai kritikoi edhe skemën e TVSH-së, të cilën e cilësoi favorizuese për importet dhe jo për prodhuesit vendas. Blushi theksoi se kriza në bujqësi reflektohet edhe te eksportet, që kanë rënë me 7 për qind, ndërsa papunësia është rritur duke goditur veçanërisht të rinjtë. Në aspektin social, ai tha se Shqipëria ka nivelin më të lartë të varfërisë dhe përjashtimit social në rajon, ndërsa rritja e çmimeve vazhdon të përkeqësojë jetesën e qytetarëve.
Ai kritikoi fort mënyrën se si qeveria menaxhon financat, duke theksuar se borxhi publik është dyfishuar nga viti 2013 dhe se mallkimi i PPP-ve dhe koncesioneve po vazhdon të gllabërojë miliarda lekë çdo vit për shërbime që nuk ekzistojnë. Sipas Blushit, këto para shkojnë te inceneratorë që nuk funksionojnë, check-up që ka prodhuar “rezultate absurde”, skanime doganore që nuk realizohen dhe tendera sekretë që po e rrjepin popullin. Në mbyllje, ai deklaroi se zhvatja sistematike që po i bëhet shqiptarëve nuk është qeverisje por tirani, dhe se asnjë regjim i ngritur mbi korrupsion nuk i ka shpëtuar ndëshkimit të popullit. Sipas tij, edhe Edi Rama nuk do t’i shpëtojë kësaj përgjegjësie.
and then