“Në një pjesë të rrugëve janë futur para të pista”, Gjoni: Balluku e përfshirë edhe në lejet e parqeve eolike dhe fotovoltaike

Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, komentoi vendimin e GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke theksuar se çështja paraqet elementë të rëndë korrupsioni dhe shkelje të barazisë në tendera.

Gjoni tha se në këtë rast nuk bëhet fjalë vetëm për “vjedhje përmes mashtrimit”, por për një sistem të gjerë problematik që përfshin vendimmarrje të paligjshme dhe favorizime në tenderime.

“Në rastin konkret kemi elementë të korrupsionit. Mungesa e dy urave në tunelin e Llogarasë dhe mënyra e dhënies së dividendit kompanisë turke tregojnë qartë shkelje,” u shpreh deputeti.

Ai theksoi se ministria e drejtuar nga Balluku ka administruar një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të shtetit, gjë që sipas tij ka krijuar një terren të rrezikshëm për abuzime të mundshme.

“Rreth 60% e buxhetit të shtetit kalon përmes ministrisë që ajo drejton. Kjo do të thotë se llokma e menaxhimit të parave të shqiptarëve i është lënë një personi të vetëm. Përfshirja në rrugë, në termocentrale, në çështjen e licencave për parqe eolike dhe fotovoltaike tregon se hetimet do shtrihen shumë më tej,” tha Gjoni.

Deputeti përmendi gjithashtu shqetësimet e PD-së lidhur me dhënien e tokave për ndërtimin e parqeve energjetike, duke theksuar se ekzistojnë indicie për përfshirjen e “parave të pista” në projekte të ndryshme infrastrukturore.

“Në shumë prej rrugëve të ndërtuara apo të kontraktuara janë futur para të pista. Kjo është arsyeja pse ne u kemi kërkuar gjithë kryetarëve të bashkive të raportojnë në detaj mbi tokat e dhëna për leje të kësaj natyre,” theksoi Gjoni.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×