“Rast unikal në botë kur gjykata pezullon një zv.kryeministre!”, Tabaku për masën ndaj Ballukut: Përgjegjësia politike!

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar sot pas zhvillimeve të fundit në lidhje me zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur dhe ndaj saj është vendosur masë sigurie nga GJKKO për pezullim nga detyra dhe bllokim pasaporte.

Tabaku e cilëson situatën si një rast unik, ku një zyrtare e këtij niveli përballet me akuzat e SPAK-ut, ndërkohë që dosjet për abuzime dhe shkelje në tenderime “janë të shumta”, por, sipas saj, kryeministri vijon ta mbrojë.

Sipas deputetes demokrate, në këtë pikë çështja nuk është më vetëm përgjegjësi personale, por “politike dhe morale”.

Postimi i plotë i Jorida Tabakut në Facebook:

“Ky është rasti unikal në botë ku gjykata pezullon nga detyra një Zëvendëskryeministre dhe Ministre të Infrastrukturës, dhe ky është një zhvillim i pritshëm duke parë akuzat dhe mbi të gjitha duke parë mënyrën si ka operuar qeveria socialiste në këto 12 vite.

Ky është vendimi i dytë për një zëvendëskryeministër, pasi një tjetër është në kërkim ndërkombëtar prej mbi 2 vitesh, e kryetari i bashkisë në burg. Kjo është një dëshmi e një krize të madhe morale dhe politike që ka prekur qeverisjen prej vitesh, ku qeveria njolloset me skandalet dhe kryeministri shmang përgjegjësinë e tij morale dhe politike.

Për asnjë moment ne nuk kemi parë asnjë reflektim dhe as ndjeshmëri ndaj faktit se një nga portofolët më të rëndësishëm të shtetit është vënë nën akuzë për shkelje të barazisë në tendera; përkundrazi u mor në mbrojtje — jo për një, por për dy tendera tashmë — ndërkohë që dosjet janë kapicë edhe për afera të tjera, duke nisur me “tigrat” e duke vijuar me rrugën e Ersekës.

Kjo nuk është vetëm një çështje individuale. Është fjala për një model qeverisjeje që ka prodhuar një seri skandalesh, një pas një, për vite me radhë — nga bashkëpunëtorët më të afërt deri te zyrtarët më të lartë të kabinetit.

Kur një ministre e linjës më të rëndësishme të qeverisë dhe një zëvendëskryeministre merret e pandehur dhe pezullohet nga detyra, përgjegjësia nuk është personale: përgjegjësia është politike. Dhe kjo përgjegjësi fillon në zyrën e Kryeministrit.

Tashmë një shtet i kapur është fytyra e një Shqipërie që nuk mund të fshihet pas kapitujve të hapur për të shmangur përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të kryeministrit. Shqiptarët meritojnë një qeverisje që mbron interesin publik, jo tenderat me paracaktim; që jep shembull me integritet, jo me arrogancë politike; që është e përgjegjshme, jo e pashqetësuar. Këtë model duhet ta rrëzojmë, këtë duhet ta thyejmë!”.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×