
Reshjet e dendura të natës dhe orëve të para të mëngjesit kanë shkaktuar një sërë problemesh në territorin e qarkut Korçë. Prefektura ka njoftuar se strukturat përgjegjëse po punojnë vazhdimisht në terren për të menaxhuar situatën dhe për të minimizuar dëmet.
Korçë – Uji futet në Prokurori
Në ambientet e Prokurorisë së Korçës ka pasur prezencë uji në bodrum dhe në arkivë. Ekipet përkatëse ndërhynë gjatë natës për thithjen e ujit, duke ruajtur dokumentacionin. Situata është stabilizuar.
Maliq – Probleme me energjinë, evakuime dhe përmbytje tokash
Në Bllokun 3 Maliq, reshjet shkaktuan masë elektrike dhe ndërprerje energjie. OSHEE stakoi fidrin për shkak të ujit të shumtë dhe po punon për rikthimin e energjisë.
Në Sovjan, Forcat e Mbrojtjes nga Zjarri evakuuan banorë, bagëti dhe kosheret e bletëve. Situata është drejt normalizimit.
Në Leshnjë janë raportuar bagëti të mbytura, ndërsa ekipet vendore vijojnë verifikimet.
Në zonën përballë fshatit Vlocisht ka prezencë uji në oborre banesash, me MZSH që po kryen ndërhyrjet e nevojshme.
Lumi Dunavec është çarë në dy pika, duke përmbytur sipërfaqe bujqësore. Po vjen mjet ndërhyrjeje nga Pogradeci për riparimin e prishjeve.
Pustec – Rrezik daljeje përroi, rrugë me inerte
Në aksin Doganë–Goricë e Vogël ka rrezik daljeje të përroit në rrugë. Strukturat përgjegjëse po monitorojnë situatën.
Në aksin Zvezdë–Goricë ka prezencë inertesh të sjella nga reshjet, dhe kontraktori ndodhet në terren për pastrim.
Devoll – Përmbytje, shkarje dhe kërkesë për ndërhyrje urgjente
Në fshatin Progër situata mbetet e rënduar nga reshjet intensive, ndërsa probleme raportohen edhe në Mancurisht.
Në Dobranj kërkohet ndërhyrje urgjente, pasi përroi ka dalë nga shtrati duke përmbytur tokat bujqësore.
Rruga Miras–Arrëz ka shkarje dheu dhe gurësh; ekipet janë nisur për të verifikuar terrenin.
Në Poloskë është përmbytur një banesë, ku është vendosur pompë për largimin e ujit gjatë natës.
Edhe në Qytezë raportohet shkarje dheu.
Strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në të gjitha zonat problematike. Prefektura e Korçës po koordinon punën me të gjitha institucionet për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
and then