Marta Kos në samitin “Growth Plan – Our pathway to EU”: Rajoni duhet të ecë së bashku, rrezikohen 300 milionë euro fonde nëse…

Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, mbajti sot një fjalim të detajuar dhe me tone paralajmëruese në samitin “Growth Plan – Our pathway to EU”, ku nënvizoi nevojën që vendet e Ballkanit Perëndimor të ecin me të njëjtin ritëm në procesin e integrimit evropian.

Kos theksoi se asnjë vend i rajonit nuk duhet të mbetet pas dhe se të gjitha shtetet aspirante duhet të arrijnë përputhjen e plotë me legjislacionin e BE-së.
“Duhet të ecni në sinkron. Nuk duam që askush të mbetet pas. Të gjithë i përkisni BE-së me të drejta të plota, për sa kohë arrini përputhjen me acquis të BE-së,” u shpreh ajo.

Komisionerja paralajmëroi se po afron një afat shumë i rëndësishëm: qershori, kur përfundon periudha njëvjeçare e vlerësimit për reformat e pambyllura. Nëse vendet e rajonit nuk përmbushin detyrimet, rrezikohet humbja e 300 milionë eurove të destinuara për to.

“Me këto fonde mund të ndërtohen linja tramvaji, shkolla, spitale – projekte nga të cilat përfitojnë drejtpërdrejt qytetarët tuaj,” theksoi Kos.

Ajo rikujtoi se ndërtimi i një tregu të përbashkët rajonal mbetet kyç për zhvillimin ekonomik, duke shtuar se një hap i tillë do t’i rriste tregjet e vendeve të Ballkanit me rreth 10%.

Megjithatë, Kos pranoi se reformat e dakorduara nuk janë gjithmonë të lehta, por janë thelbësore për përshpejtimin e negociatave me BE dhe përgatitjen e ekonomive vendase për tregun e madh evropian me 450 milionë konsumatorë.

“Këto reforma hapin mundësi të reja, u japin qasje në politika që i trajtojnë vendet tuaja në mënyrë të ngjashme me anëtarët e BE-së dhe tregojnë se jeni gati për integrim të thelluar,” tha ajo.

Komisionerja shtoi se Presidentja e Komisionit Evropian ishte impresionuar nga dy konferencat e fundit të investimeve në rajon, duke theksuar se ky është momenti për të tërhequr edhe më shumë fonde evropiane dhe partnerë të rinj tregtarë.

“Sa më shumë i afroheni zgjerimit, aq më shumë investitorë do të vijnë. Përvoja na tregon se hapat drejt BE-së rrisin kureshtjen e investitorëve, të mediave evropiane dhe shpresoj, edhe të qytetarëve nga vendet anëtare,” u shpreh Kos.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×