
Kryeministri Edi Rama mbajti fjalimin e tij hapës në samitin “Growth Plan – Our pathway to EU”, ku theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk po kërkojnë favore nga Bashkimi Evropian, por po ofrojnë vlerat dhe rezultatet e tyre konkrete.
Rama u shpreh se qëndrimi i udhëheqësve të rajonit është i qartë: nuk po shkojnë në tryezën e BE-së për ndere apo përfitime të pamerituara.
“Askush nuk po thërret për t’u shërbyer me ëmbëlsira, por vijnë me krenarinë për të ofruar vlerë, mund dhe djerës. Falë zotit nuk duhet gjak,” tha ai.
Kryeministri theksoi se procesi i integrimit nuk është një akt lutjeje, por rezultat i punës dhe reformave.
“Nuk po lutem të futemi në BE, nuk kërkojmë lëmoshë. Ne po japim rezultate dhe sa i takon konvergjencës, Europa bëhet më e fortë me Ballkanin Perëndimor,” deklaroi Rama.
Ai shtoi se qytetarët shqiptarë duhet të jenë të vetëdijshëm se vendi po ecën drejt Bashkimit Evropian jo “me duart bosh”, por me arritje të prekshme.
“Po shkojmë drejt BE jo si lypës, por me detyrat e shtëpisë të kryera dhe me rezultate në çdo hap. Do të punojmë deri sa të futemi në BE si kontribues,” nënvizoi ai.
Në një ton simbolik, Rama përfundoi me një mesazh që lidhej me rolin e rajonit në sigurinë evropiane: “Për sigurinë tuaj, zgjidhni një ballkanas, kjo funksionon gjithnjë. Ne mund të jemi truprojat e Europës, dhe më pas Europa do të ndihet shumë më e qetë në gjumin e saj.”
and then