GJKKO la në fuqi 2 masat për Ballukun, PD del me deklaratë: Rama urdhërues i aferës 50 mln euro të tunelit të Llogarasë, kërkojmë dorëheqjen e të dyve menjëherë – rrezikojnë të prishin provat

Partia Demokratike ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në kabinetin qeveritar, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama dhe Belinda Ballukut, pasi ndaj kësaj të fundit GJKKO vendosi masën e pezullimit nga detyra si zv/kryeministre dhe bllokimin e pasaportës, për aferën 190 mln euro të tunelit të Llogarasë.

Në një deklaratë, PD e cilëson takimin 7-orësh të së mërkurës në Kryeministri, të zhvilluar pas pezullimit të Ballukut nga Gjykata, si një përpjekje për të shmangur përgjegjësitë penale dhe për të mbrojtur, sipas tyre, organizatorët e aferave me qindra milionë euro.

Opozita thotë se zbardhja e plotë e këtyre çështjeve kërkon largimin e menjëhershëm të dy zyrtarëve të lartë për të mos ndikuar në hetime.

Deklarata
Takimi 7-orësh i së mërkurës në Kryeministri, menjëherë pas vendimit të Gjykatës për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres, i cili u shoqërua me akuza dhe presione të ndërsjella mes Ramës dhe Ballukut, nuk ishte asgjë më shumë se një mbledhje tipike mafiozësh për gjetjen e një rrugëdaljeje dhe shpëtimin e Edi Ramës nga ndjekja penale.

Kundërshtimi i tij për të shkarkuar Belinda Ballukun, duke u fshehur pas spërdredhjeve të jurisprudencës, të cilat në të vërtetë nuk i kupton, nuk është gjë tjetër veçse përçartje për të fshehur një të vërtetë që tashmë është e qartë si drita e diellit: urdhëruesi për vjedhjen e 50 milionë eurove në Tunelin e Llogarasë ka një emër, dhe ai është Edi Rama.

Ky individ është përgjegjës direkt edhe për vjedhjen me termocentralet e Vlorës Tigri 1 dhe Tigri 3, Unazën e Madhe, koncesionet prej qindra milionë eurosh të rrugëve dhe për çdo akuzë tjetër me të cilën po përballet ekzekutuesi, por jo urdhëruesi.

Me qëllim zbardhjen e të vërtetës dhe vendosjen e përgjegjësve para drejtësisë, Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, dhe vënien e tyre para drejtësisë, duke u hequr mundësinë të ndikojnë apo të prishin provat. Kjo duhet t’u hapë rrugën zgjedhjeve të reja, të lira dhe të barabarta.

Partia Demokratike e akuzon Edi Ramën si njeriun që, me veprimet e tij, po përpiqet të pengojë zbardhjen e të vërtetës për një vepër penale në të cilën është në rolin e organizatorit dhe urdhëruesit.

Partia Demokratike fton qytetarët t’i bashkohen Foltores qytetaro-parlamentare përballë Kryeministrisë ditën e hënë, më datë 24, për t’i thënë ndal korrupsionit, marrjes peng të vendit dhe për dërgimin para drejtësisë të kusarëve që vodhën zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×