
Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka denoncuar me një reagim të ashpër në Facebook situatën dramatike që po kalon qarku i Beratit pas reshjeve të dendura të shiut.
“Qarku i Beratit po përjeton një nga situatat më të vështira të viteve të fundit. Sipërfaqe të tëra toke, biznese, sera dhe banesa janë nën ujë. Ka shumë banesa të dëmtuara rëndë dhe me dhjetëra familje vazhdojnë të kërkojnë ndihmë për t’u përballur me këtë situatë,” shkruan Bozdo.
Ai thekson se bizneset në qendër të Beratit dhe parkimi nëntokësor janë përmbytur përsëri, si pasojë e lënies në harresë për shumë vite të shtratit të lumit Osum. Në Dimal dhe Kuçovë, dëmet në banesa dhe në sipërfaqet e mbjella janë të mëdha.
“Deri në këto çaste, prezenca e pushtetit vendor dhe atij qendror është joekzistente. Banorët kanë nevojë për ujë të pijshëm, ushqime dhe veshmbathje, ndihmë të menjëhershme. Fermerët, pas tërheqjes së ujit, do të kenë nevojë për mbështetje për të mbjellat e shkatërruara. Qeveria duhet t’i rimbursojë ata plotësisht!,” vijon deputeti.
Bozdo akuzon drejtpërdrejt qeverinë se përmbytjet, përtej reshjeve të mëdha, janë shkaktuar nga mungesa për vite me radhë e investimeve në infrastrukturë mbrojtëse, argjinatura dhe pastrim periodik të kanaleve kulluese.
“Qeveria vendore dhe ajo qendrore duhet të marrë menjëherë masa për të furnizuar banorët e prekur me ushqime dhe veshmbathje, për të zhdëmtuar plotësisht fermerët e dëmtuar si dhe riparimin e banesave të prishura nga vërshimi i ujit!,” përfundon reagimi i deputetit demokrat Eno Bozdo.
and then