VIDEO/ Sfidat e Shqipërisë post komuniste, Bushati dhe Shehaj: Nuk mund të konsiderohemi më vend tranzicion, por sistemi politik jo i konsoliduar

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, diskutoi këtë javë në Public Square me Dr. Albana Shehaj, shkencëtare politike pranë Harvard-it dhe Universitetit të Michigan-it. Në këtë bisedë ata analizuan sfidat që vijojnë ta shoqërojnë Shqipërinë 35 vite pas rënies së komunizmit.

Shehaj theksoi se, ndonëse vendi nuk mund të konsiderohet më “në tranzicion” në kuptimin teorik, treguesit politikë dhe institucionalë tregojnë se demokracia shqiptare mbetet e brishtë dhe e centralizuar, larg standardeve të një sistemi të konsoliduar. Sipas saj, dobësia e opozitës, mungesa e kontrollit institucional dhe korrupsioni i lartë janë elemente që shtyjnë vendin drejt modeleve të erozionit demokratik.

Në fokus të bisedës ishte edhe modeli ekonomik shqiptar, i cili, sipas Bushatit dhe Shehaj, mbështetet tepër në ndërtim, turizëm dhe pasuri të paluajtshme, një qasje që prodhon rritje afatshkurtër, por jo zhvillim të qëndrueshëm.

Shehaj paralajmëroi se një ekonomi pa bazë të fortë në teknologji, industri krijuese dhe kapital njerëzor nuk mund të krijojë shtresë të mesme, as t’u rezistojë tronditjeve të jashtme. Sipas të dhënave ndërkombëtare diferenca e Shqipërisë me mesataren e BE-së mbetet e madhe, ndërsa ritmet aktuale të rritjes nuk mjaftojnë për të garantuar konvergjencë reale në dekadat e ardhshme.

Një tjetër problem madhor i identifikuar ishte kriza e arsimit dhe hendeku i aftësive. Duke iu referuar vlerësimeve të PISA-s, Shehaj theksoi se nxënësit shqiptarë rezultojnë 3–4 vite prapa bashkëmoshatarëve të tyre në BE në matematikë dhe lexim — një diferencë që dëmton konkurrueshmërinë e brezit të ri dhe nxit ciklin e emigrimit. Sipas saj, pa një reformë serioze në arsim, në edukimin profesional dhe në lidhjen mes universitetit dhe ekonomisë reale, Shqipëria nuk mund të ndërtojë një bazë të qëndrueshme për zhvillim.

Në fund të bisedës ata diskutuan për ministren virtuale “Diella”. Shehaj e përshkroi nismën si “thikë me dy presa” një mundësi për transparencë më të madhe në tendera dhe proceset publike, por edhe një rrezik të kodimit të korrupsionit brenda algoritmeve, nëse teknologjia nuk është e audituar, e sigurt dhe e pavarur.

Ajo nënvizoi se Shqipëria ka qenë tre herë viktimë e sulmeve kibernetike, duke e bërë edhe më të domosdoshme që çdo përdorim i IA-së të shoqërohet me standarde të rrepta sigurie dhe përgjegjshmërie.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×