
Debati mbi ligjshmërinë e pezullimit nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres Belinda Balluku ka rikthyer në qendër të vëmendjes një çështje më të thellë sesa vetë rasti: mënyrën se si konceptohet juridikisht dallimi ndërmjet një funksioni të zgjedhur dhe një funksioni të emëruar brenda rendit tonë kushtetues. Në mënyrë paradoksale, argumentet e hedhura në publik shpesh ngatërrojnë këto dy realitete juridike, duke krijuar një mjegullnajë që i largon qytetarët nga e vërteta dhe e deformon kuptimin e normës.
Në thelb të çështjes qëndron statusi i deputetit. Deputeti është organ kushtetues i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli; mandati i tij buron nga sovraniteti popullor dhe jo nga vullneti i një organi tjetër të shtetit. Për këtë arsye, Kushtetuta dhe legjislacioni procedural i japin një mbrojtje të posaçme që nuk gëzohet nga asnjë funksionar tjetër. Pezullimi nga detyra i deputetit është i pamundur, jo sepse deputeti “është mbi ligjin”, por sepse askush – as gjykata, as ekzekutivi, as ndonjë organ tjetër – nuk ka kompetencë të pezulloje një mandat që i përket popullit. Mandati i deputetit është thellësisht politik, i pakushtëzuar nga struktura administrative dhe sidomos i pamposhtur nga masat procedurale penale që prekin funksione të emëruara. Deputeti nuk është pjesë e administratës publike; ai nuk ushtron kompetenca ekzekutive, nuk menaxhon dokumente të strukturës shtetërore, nuk ka zinxhir vartësie administrative nen vete, të cilin mund ta ndikojë dhe, për këtë arsye, nuk përfaqëson asnjë rrezik objektiv për prishjen e provave. Pezullimi i tij, përveçse i ndaluar shprehimisht nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, do të ishte ndërhyrje e drejtpërdrejtë në sovranitetin popullor, pra një shkelje flagrante e Kushtetutës.
Ky status unik e shpjegon qartësisht edhe pse deputeti mund të arrestohet, por jo të pezullohet. Arresti prek lirinë personale, jo mandatin e përfaqësimit. Mandati i deputetit vazhdon të ekzistojë edhe në kushtet e arrestit, sepse buron nga populli dhe jo nga vullneti i një institucioni të shtetit. Pezullimi, përkundrazi, do të ishte ndërhyrje në vetë substancën e mandatit dhe për këtë arsye është absolutisht i ndaluar. Ky dallim është i njohur në të gjitha demokracitë parlamentare: prerja e lirisë personale dhe pezullimi i funksionit politik janë dy akte juridike të natyrave krejt të ndryshme.
Ndryshe paraqitet çështja e ministrit. Ministri nuk është organ i zgjedhur, nuk gëzon mandat të dhënë nga populli, nuk përfaqëson sovranitetin popullor dhe nuk është i barabartë me deputetin në pikën e prejardhjes së pushtetit. Ministri është funksionar ekzekutiv i emëruar nga Kryeministri dhe dekretuar nga Presidenti.
Funksioni i tij është administrativ-ekzekutiv, i ushtruar brenda aparatit shtetëror dhe me fuqi konkrete për të ndërhyrë në akte, dokumente, procedura dhe vartësi hierarkike. Për këtë arsye, ministri hyn pa asnjë dyshim në kategorinë “person që ushtron funksion publik” në kuptimin e Kodit Penal dhe Kodit te Procedurës Penale – kategori për të cilën ligji parashikon mundësinë e pezullimit nga detyra kur ekziston rreziku i ndërhyrjes në hetim.
Argumenti se “ministrat gëzojnë të njëjtin imunitet si deputetët” është keqinterpretuar deri në deformim. Neni 103/3 i Kushtetutës, që flet për imunitetin e ministrave, u referohet vetëm dy elementeve klasike të imunitetit parlamentar: mosndëshkueshmërisë për fjalimet dhe votat, si dhe mbrojtjes ndaj arrestimit pa autorizimin e Kuvendit. Ky imunitet nuk ka lidhje me ushtrimin e detyrës ekzekutive. Nuk ekziston asnjë dispozitë kushtetuese që ndalon pezulimin e ministrit, pikërisht sepse ministri nuk është organ i zgjedhur, por funksionar administrativ-politik i ekzekutivit. Po të kishte dashur legjislatori kushtetues t’i jepte ministrit të njëjtin nivel mbrojtjeje ndaj masave procedurale si deputetit, do ta kishte bërë qartë – dhe nuk e ka bërë.
Në këtë kuadër, vija ndarëse është e qartë: detyrat që i janë deleguar ministrit nga Kryeministri mund të kufizohen nga gjykata, sepse nuk janë të tijat “nga populli”, ndërsa detyra e përfaqësimit politik në Kuvend është e paprekshme nga çdo organ, përveç vetë popullit ose mekanizmave të brendshëm parlamentarë. Pezullimi i ministres Balluku nuk është sulm ndaj sovranitetit popullor, sepse ajo nuk është pezulluar si deputete – dhe as nuk mund të pezullohet. Ajo është pezulluar nga funksioni i emëruar që ushtron në ekzekutiv, funksion që nuk është i mbrojtur as nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, as nga imuniteti parlamentar, as nga parimet e ndarjes së pushteteve.
Në të vërtetë, interpretimi që pretendon të zgjerojë imunitetin parlamentar përtej kufijve kushtetues që ai realisht ka, përbën një rrezik: krijon një kategori zyrtarësh politikë të paprekshëm nga masat procedurale, një privilegj që Kushtetuta nuk e ka dashur dhe që bie ndesh me standardet evropiane të llogaridhënies së ekzekutivit. Pikërisht për këtë arsye sistemi ynë kushtetues ndan qartë: mbrohet mandati i deputetit si organ i zgjedhur; nuk mbrohet pozita ekzekutive si funksion i emëruar.
Kjo është arsyeja përse pezullimi i ministres Balluku, pavarësisht debatit te pritshëm në publik, është juridikisht i lejueshëm, kushtetues dhe i përputhshëm me parimet themelore të së drejtës publike. Dhe është po kjo arsye që na imponon të dallojmë qartë ndërmjet asaj që i takon politikës dhe asaj që i takon ligjit. Derisa funksioni i ministrit është produkt i vullnetit të Kryeministrit dhe jo i sovranit, ai mbetet i ndjeshëm ndaj mekanizmave procedurorë të drejtësisë penale. Mandati i deputetit jo. Kaq është dallimi – dhe ky dallim është themeli mbi të cilin ngrihet çdo interpretim i drejtë juridik i rastit “Balluku”.
Në doktrinën bashkëkohore të së drejtës publike, rasti i një individi që mban njëkohësisht mandat parlamentar dhe funksion ekzekutiv trajtohet me konceptin e “ndarjes së statuseve”. Ky koncept niset nga ideja se një person mund të jetë bartës i disa funksioneve publike, por secili funksion ruan autonominë e vet juridike, sipas burimit të mandatit dhe natyrës së kompetencave. Nuk kemi një “status të përzier” që i fshin kufijtë; përkundrazi kemi dy statuse paralele që bashkëjetojnë te i njëjti individ. Kjo do të thotë se në planin kushtetues dhe procedural nuk analizohet individi “si i tëri”, por funksioni i caktuar që ai ushtron në momentin ku ndërhyn masa procedurale. Mandati i deputetit është një status i dhënë drejtpërdrejt nga sovrani dhe për rrjedhojë është i paprekshëm nga masat që do ta pezullonin ushtrimin e tij. Funksioni i ministrit, në të kundërt, është status i deleguar nga ekzekutivi, me përmbajtje administrative-ekzekutive dhe me rrezik të qenësishëm procedural për hetimin; prandaj ai status është i kufizueshëm nga gjykata, sipas normave të masave të sigurimit. Në këtë logjikë doktrinare, ndalimi i pezullimit për “personat e zgjedhur” lidhet vetëm me funksionin e zgjedhur, jo me çdo funksion tjetër që i njëjti person mund të marrë më pas me emërim. Përndryshe do të krijohej një efekt absurd: një mandat popullor do të shndërrohej në mburojë universale që bllokon çdo masë procedurale ndaj funksioneve ekzekutive të marra me emërim. Ky rezultat nuk del askund nga Kushtetuta dhe as nga koncepti i imunitetit parlamentar si institut i kufizuar në fushën e mbrojtjes së mandatit përfaqësues. Kjo “ndarje e statuseve” është arsyeja pse, në rastin Balluku, ligjërisht nuk mund të preket mandati i saj parlamentar, por mund të kufizohet ushtrimi i funksionit ministror: jo sepse individi është “më pak i mbrojtur”, por sepse funksioni ministror nuk është mandat sovran, por delegim ekzekutiv. Në termat e teorisë së pushtetit publik, sovrani mbron vetëm atë që ka krijuar vetë: mandatin përfaqësues, jo postin ekzekutiv që buron nga vullneti i Kryeministrit.
Ka një moment kur një debat juridik pushon së qeni thjesht interpretim dhe kthehet në rrezik real për rendin kushtetues. Teza se një ministër nuk mund të pezullohet nga gjykata – veçanërisht kur ministër është edhe deputet – nuk është thjesht gabim teknik; është përmbysje e logjikës së barazisë së pushteteve. Ajo nënkupton një gjë të vetme: që sapo një individ futet në ekzekutiv, ai del nga rrethi i kontrollit procedurial penal për sa kohë “mban karrigen”. Kjo e zhvendos ekuilibrin kushtetues jo në favor të shtetit të së drejtës, por në favor të një ekzekutivi që i jep vetes imunitet të pashkruar, të pakontrollueshëm dhe, në fund, vetë-mbrojtës.
Nëse një funksion i emëruar ekzekutiv do të bëhej i paprekshëm nga masat procedurale vetëm sepse ushtron pushtet, atëherë kemi përmbysje të vetë idesë së përgjegjësisë publike. Nuk është gjykata ajo që bën “ndërhyrje politike” kur pezullon një ministër për të mbrojtur hetimin; politike është përpjekja për ta bërë ministrin të paprekshëm nga ligji procedural, duke e ngritur mbi të një status që Kushtetuta nuk e njeh. Kjo është forma më e pastër e një puçi institucional: jo tanket kundër parlamentit, por ekzekutivi kundër parimit se askush – as i zgjedhuri, as i emëruari – nuk mund ta përdorë pushtetin si strehë kundër drejtësisë.
Prandaj, në plan kushtetues, rreziku nuk qëndron te pezullimi i ministrit; rreziku qëndron te mohimi i mundësisë per pezullim nga detyra. Sepse mohimi i pezullimit e shndërron funksionin ekzekutiv në zonë të lirë nga kontrolli gjyqësor, pra e vendos ekzekutivin “mbi” pushtetet e tjera. Dhe aty ku një pushtet vendos veten mbi të tjerët, nuk kemi më barazi pushtetesh, por një shkelje të rendit kushtetues që, në thelb, është grusht shteti institucional ndaj vetë ekzistencës së shtetit të së drejtës.
and then