Serie A/ Juventus, barazimi ndaj Fiorentinës s’mjafton, Napoli rikthehet bindshëm tek fitorja

Edhe ardhja e Spallettit në stol duket se nuk ka përmirësuar situatën tek Juventusi. Në “Artemio Franchi”, Fiorentina dhe Juventus ndajnë pikët me rezultatin 1-1, në një ndeshje me emocione dhe episode të forta. Juventusi kalon i pari në avantazh pak para pushimit, kur Filip Kostic godet nga distanca dhe topi, i devijuar, përfundon në rrjetë. Në pjesën e dytë, Fiorentina reagon menjëherë: Mandragora lëshon një predhë nga jashtë zonës që shkon direkt në trekëndësh dhe barazon shifrat, duke ndezur stadiumin. Sfida vazhdon me raste në të dyja anët. Kean godet traversën për vendasit, ndërsa në minutat e fundit McKennie i afrohet golit të fitores, por De Gea shmang rrezikun me një pritje vendimtare. Barazim që lë të zhgënjyera të dy skuadrat: Fiorentina mbetet pa asnjë fitore në kampionat, ndërsa Juventus vazhdon serinë e rezultateve jo bindëse.

Në sfidën e mbrëmjes të së shtunës në Serie A, Napoli ka marrë një fitore të rëndësishme 3-1 ndaj Atalantës, duke u rikthyer te rezultatet pozitive dhe duke kaluar përkohësisht në krye të renditjes. Skuadra e Antonio Contes zgjidhi ndeshjen që në pjesën e parë, me një dopietë të David Neres dhe golin e parë në fanellën blu të Noa Lang. Të tre golat erdhën pas aksioneve të shpejta dhe kombinimeve të mira në repartin ofensiv. Në pjesën e dytë, Atalanta reagoi me hyrjen e Scamaccas, i cili shkurtoi rezultatin me një goditje të saktë në minutën e 53-të, por nuk mjaftoi. Për trajnerin Palladino, debutimi në stol mbyllet me humbje. Atalanta mbetet jashtë zonës europiane, ndërsa Napoli merr një fitore me shumë peshë dhe pret të shohë rezultatet e ndeshjeve të së dielës për të kuptuar si do të ndryshojë kreu i tabelës.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×