
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, theksoi se zv.kryeministrja Belinda Balluku është përfshirë në një aferë tjetër korruptive si ajo me projektin gjigant të fotovoltaikëve.
Bardhi shton se ky projekt kushton 80 mln euro dhe sipas tij, përfitues është një punonjës i thjeshtë i kompanisë Salillari, që e ka marrë përsipër.
“E pamundur të gjesh një projekt që mban firmën e Belinda Ballukut dhe të jetë në përputhje me ligjin! Pas çdo projekti miliona euro fshihen vetëm afera korruptive apo dyshime serioze për pastrim të parave të pista.
Belinda Balluku rezulton të ketë shpallur fituese kompaninë Albanian Solar Power për një leje gjigande për ndërtimin e centralit gjenerues prej 82 megavatësh të energjisë elektrike fotovoltaike, në fshatin Boçovë të Bashkisë Fier. Ky projekt me vlerë të paktën 80 milionë euro investim, rezulton se ka si përfitues shtetasin Engjëll Agalliu, një punonjës i thjeshtë i kompanisë “Salillari”, që nuk gëzon as kapacitetet teknike dhe as financiare për realizimin e një projekt të tillë.
Ky është një tjetër rast që dëshmon se Belinda Balluku është zyrtari më i korruptuar në historinë e shtetit shqiptar, pas shefit dhe avokatit të saj Edi Rama.
I takon Prokurorisë së Posaçme të mbajë përgjegjës për këtë paligjshmëri Belinda Ballukun dhe Edi Ramën, si dhe t’u tregojë shqiptarëve se kush fshihet pas emrit fiktiv të pronarit të kësaj kompanie dhe paratë e kujt po tentohen të pastrohen përmes këtij projekti 80 milion euro.”, tha Bardhi.
and then