Nga tuneli i Llogarasë te “Qafë Plloçë-Qukës”, Kapri: Rreth 1 miliard euro janë shpenzuar në vetëm 5 projekte të infrastrukturës

Deputeti i Partisë Mundësia, përmes një postimi në rrjetet sociale ka denoncuar se si rreth 1 miliard euro janë shfrytëzuar në vetëm 5 projekte të infrastrukturës që janë vërtetuar nga SPAK si afera korruptive.

Kapri përmendi Unazën e Madhe të Tiranës, aksin Qafë Plloçë-Qukës, rrugën Korçë-Ersekë, tunelin e Llogarasë dhe atë të Kardhiqit.

Denoncimi i Erald Kaprit:

Sot do të shpjegojmë sesi janë shfrytëzuar të paktën 500 mln euro në 5 projekte të infrastrukturës që janë vërtetuar nga SPAK-u dhe që janë afera korruptive. Fillojmë me të parën: Unazën e Madhe të Tiranës që ka kushtuar deri tani 500 mln euro për 27 km, duke e çuar koston në 18 mln euro/km. Loti i dytë që ka qenë segmenti i Astirit, u vërtetua me DH Albania që ishte një projekt korruptiv dhe u anulua, por në dosjen e re del që dhe Loti i tretë është përcaktuar fituesi, në dosjen e zv.kryeministres Balluku.

Rruga Qafë Plloçë-Qukës që ka kushtuar 260 mln euro, për 43 km me një kosto rreth 6 mln euro/km. Kjo rrugë sot është e bllokuar, ka nisur që nga viti 2009 të ndërtohet dhe ende nuk ka përfunduar.

Rruga Korçë-Ersekë ka kushtuar 80 mln euro për 35 km, me 2.2 mln euro/km. Kjo rrugë ka nisur të ndërtohet në vitin 2016, ende nuk ka mbaruar, ka rrëshqitur disa herë dhe sot ishin raportuar çarje në të.

Tuneli i Llogarasë: 142 mln euro, për 6 km tunel, që shkon 23,6 mln euro/km për një tunel. Siç e kemi parë në dosjen e Prokurorisë, tuneli është ndërtuar me mangësi të shumta, duke e bërë të rrezikshëm. Dhe sot është i mbyllur dhe nuk mund të kalosh në të.

Tuneli i Kardhiqit ka kushtuar 15 mln euro, për 1.3 km dhe pamjet tregojnë që tuneli ishte bllokuar për një pjesë të ditës sepse kishin rrëshkitur dhërat mbi të.

Tani, këto projekte, të pesta, kanë kushtuar 997 mln euro, afërsisht 1 mld euro. Dhe nëse i referohemi standardit europian të ndërtimit të rrugëve, ne do të kishim kursyer të paktën 500 mln euro, nëse ato do të ishin tenderuar siç duhet. Sepse në Europë, ndërtimi i një rruge fushore kushton nga 1.2-3 mln euro/km. Një rrugë malore nga 3-6 mln/km euro, dhe një rrugë urbane nuk mund të kushtojë më shumë se 8 mln euro/km. Ndryshe nga Unaza e Madhe që ka kushtuar 18 mln euro/km.

Tani, çfarë mund të bënim ne me 500 mln euro të kursyera? Mund të bënim shumë. Mund të ndërtonim 50 spitale të reja. Mund të zgjidhnim ilaçet tek Onkologjiku me 15 mln euro gjithsej. Por mund të zgjidhnim përfundimisht çështjen e pensioneve. Sepse me kaq para ne mund të garantonim një rritje me të paktën 10% në vit për çdo pensionist dhe të paktën për 150,000 prej tyre të kishin një pension minimal prej 300 eurosh në muaj.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×