
Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj është pritur në një takim në Budapest nga homologu hungarez, István Jakab, një prej figurave kryesore të partisë Fidesz të Kryeministrit Viktor Orbán.
Në një deklaratë, Gjekmarkaj thekson se takimi u zhvillua në një klimë miqësore dhe bashkëpunuese, ku u theksua tradita e gjatë e marrëdhënieve shqiptaro-hungareze dhe roli i Hungarisë si një partner i rëndësishëm i Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian. Në këtë vizitë Gjekmarkaj ka ngritur shqetësimet mbi situatën politike në vend, procesin zgjedhor të 11 majit dhe arrestimin e drejtuesve të opozitës, duke e cilësuar momentin si një provë të rëndësishme për demokracinë shqiptare.
Deklarata e Gjekmarkajt
Gjatë vizitës time në Hungari, me ftesë të Nënkryetarit të Parlamentit Hungarez, z. István Jakab, pata kënaqësinë të zhvilloj një takim të frytshëm me të, përfaqësues i partisë Fidesz të Kryeministrit Viktor Orbán. Në takim theksova miqësinë tradicionale dhe historike mes popujve tanë, që nga koha e heronjve kombëtarë Huniadi dhe Skënderbeu, deri te figura e Mbretëreshës Geraldinë, konteshë hungareze dhe pjesë e pandashme e historisë shqiptare.
Shpreha mirënjohjen për mbështetjen që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë pas rënies së komunizmit, në të gjitha fushat, veçanërisht në procesin e integrimit europian. Theksova se Partia Demokratike – forca politike që e nisi dhe e udhëhoqi procesin e integrimit europian të Shqipërisë – e konsideron këtë një projekt kombëtar, jo partiak. PD e dëshiron fuqimisht integrimin dhe insiston që ai të avancojë, duke përmbushur standardet dhe kriteret europiane.
Informova gjithashtu z. Jakab mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, përfshirë deformimet e konstatuara në zgjedhjet e 11 majit, si dhe arrestimin e liderit të opozitës, z. Sali Berisha, dhe drejtuesve të tjerë opozitarë gjatë procesit zgjedhor – veprime që i sollën avantazh të padrejtë palës kundërshtare.
Nënvizova se raporti i OSBE/ODIHR për këtë proces ishte ndër më kritikët ndonjëherë për një proces zgjedhor në vendin tonë.
Në përfundim, përcolla përshëndetjet më të përzemërta të Kryetarit Berisha për Kryeministrin dhe mikun e tij, z. Viktor Orbán.
and then