
Gazetarja investigative Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Studio24”, ka bërë komente të forta lidhur me hetimin që SPAK po zhvillon ndaj Belinda Ballukut, duke theksuar se procesi hetimor deri tani nuk është i plotë dhe se sipas saj çështja pritet të ketë pasoja politike deri në nivelet më të larta.
Lala deklaroi se thelbi i çdo hetimi që ka të bëjë me zyrtarë të lartë duhet të jetë gjurmimi i pasurive të përfituara padrejtësisht, por në rastin e Ballukut kjo pjesë nuk është trajtuar mjaftueshëm.
“Hetimi i SPAK nuk është i plotë në këndvështrimin tim për Ballukun. Thelbi i hetimit që ka të bëjë me goditjen e zyrtarëve të lartë është të gjurmosh pasuritë që ata i kanë marrë në mënyrë të padrejtë,” u shpreh ajo.
Sipas gazetares, një pjesë e tenderave të vitit 2021 janë zbërthyer vetëm falë të dhënave të nxjerra nga një celular, çka tregon, sipas saj, se momenti kur abuzimet janë bërë të pakontrollueshme ka përshpejtuar “shkërmoqjen” e mazhorancës.
“Në momentin që është mbushur kupa, zullumi ka filluar të shkërmoqë mazhorancën socialiste duke ardhur në nivelin më të lartë qeverisës. Rënia e Ballukut paralajmëron hedhjen e vështrimit drejt kryeministrit të vendit nga drejtësia”, tha ajo.
Lala shtoi se një pjesë e madhe e tenderave në infrastrukturë janë “të pararcaktuar”, duke nënkuptuar se proceset shpesh janë të orientuara nga interesa dhe përfitime personale.
“Pjesa më e madhe e tenderave në infrastrukturë janë përcaktuar. Pse ndodh kjo? Sepse ka interesa dhe përfitime. Mendoj se SPAK ka lëndë të parë të mirë. Balluku tashmë është drejt rënies përfundimtare politike.”
Gazetarja komentoi edhe shkresën e Këshillit të Ministrave drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ku argumentohej se pezullimi i Ballukut mund të krijonte pasoja të pariparueshme në funksionimin e shtetit dhe se ajo gëzonte disa të drejta të ngjashme me mandatin e një deputeti.
Lala e konsideroi këtë një lëvizje politike, duke theksuar se GJKKO e ka pezulluar Ballukun nga një detyrë e emëruar, jo e votuar.
“Mendoj se është një lëvizje politike, por GJKKO e ka pezulluar nga një detyrë ku ajo është emëruar. Asnjë qytetar nuk e ka votuar Ballukun apo secilin ministër për të qenë në ato pozicione. Funksioni i deputetes për Ballukun nuk është prekur,” deklaroi ajo.
and then