“Më kanë kontaktuar dhe ofruar favore”, Artan Hoxha flet për “non-gratën” nga Greqia: Mesazh për të mbyllur gojën e kujtdo që cenon interesat e tyre

Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në studion e Neës24 ka folur për shpalljen e tij non-grata nga shteti helen, duke theksuar se sipas tij ky veprim është një mesazh për të censuruar njerëzit në Shqipëri që dalin kundër interesave greke.

Hoxha u shpreh se njerëz pranë Fredi Belerit janë përpjekur ta kontaktojnë, duke i ofruar edhe favore.

Sipas tij, shpallja non-grata nga Greqia është një mesazh për çdo gazetar dhe media në Shqipëri, për të mos cenuar interesat greke.

“Në Shqipëri kam pasur edhe procese gjyqësore me Fredi Belerin, njerëz të afër të tij kanë tentuar të kontaktojnë, madje më kanë ofruar edhe favore. Unë thjesht kam bërë analizë, duke u ndalur te ngjarja e Peshkëpisë, rastin kur Beleri u dënua për dhunimin e simboleve tona kombëtare, më pas rishfaqja e tij sërish

Polici i tretë nga ata më pyeti për këto ngjarje, ti ke qenë që i ke bërë këto më tha dhe unë po i argumentoja çfarë ka ndodhur.

Që një vend anëtar i BE të ketë këtë sjellje është e pashpjegueshme por kjo më shërben që të dëshmoj edhe atyre që bëja debat në rastin e Belerit, për të treguar se Greqia nuk është aq demokratike sa e bëni ju. Të merr atje dhe të vendos edhe kryqin në pasaportë dhe të kthen pas pa shpjegime. Ata shënuan atje ky person është i padëshiruar në territorin grek dhe përbën rrezik për rendin dhe sigurinë për marrëdhëniet ndërkombëtare të Greqisë.

Ka dy rrugë që mund të ndiqen, ose në rrugë shtetërore përmes ministrisë ose ambasadës, ose në rrugë gjyqësore, por kemi të bëjmë me një vendim administrativ. Është si non grata e SHBA-ve që i vuri Berishës, nuk zgjidhet me rrugë gjyqësore. Autoritetet greke kanë treguar se nuk u bëhet vonë për këto shkelje që bën qeveria e tyre. Marin Mema ka 13 vite non grata nga Greqia dhe nuk e ka zgjidhur.

Kam kontaktuar ministrinë e jashtme dhe qeverinë tonë dhe kam treguar shkresat. Më ka marrë në telefon ministrja dhe kam folur me të. Ajo më tha se ka ngritur një grup pune për të parë se çfarë mund të bëhet për këtë rast. Gjithsesi unë e kisha detyrim ta informoja. Autoritetet tona e kanë detyrë të merren me këto raste. Unë mendova se ndoshta kam një çështje penale në Greqi, por isha i sigurt që kjo nuk ka ndodhur kurrë.

Ky është një mesazh që u jepet gazetarëve dhe mediave në Shqipëri që nuk mund të cenojnë dot interesat greke në Shqipëri apo pjesëtarë që mbështesin edhe interesa ekstremiste që kërkojnë edhe ndryshimin e tërësisë territoriale të Shqipërisë. Fredi Beleri dilte në takime me flamurin e Vorio Epirit. Komuniteti grek në Shqipëri ka një histori në Shqipëri, ka edhe personalitete të njohura dhe duket çudi që përfaqësohen nga personazhe të tilla, por Fredi Beleri vjen nga një strukturë e fuqishme nga Greqia. Ka miqësi me kryeministrin Mitsotakis, me deputetë dhe forca politike të organizuara në Greqi dhe mbrapa tij është një grup shumë i fuqishëm. Beleri është vetëm maja e ajsbergut.

Kur kam bërë betejën vitin e kaluar, më shumë kam sulmuar qeverinë tonë se përse e lejoi të ndoshta rasti i Belerit para zgjedhjeve. Beleri ka djegur simbolet shqiptare dhe është lejuar të kandidojë”.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×