
Gazetari Osman Stafa, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me situatën në sektorin e shëndetësisë, duke kërkuar që SPAK të zgjerojë hetimet edhe në këtë fushë, veçanërisht për koncesionet dhe mungesat e barnave jetike.
Stafa tha se koncesioni i laboratorëve, i cili prej vitesh është në qendër të kritikave, po shkakton vonesa të papranueshme në ofrimin e analizave për qytetarët. Ai e cilësoi absurd faktin që shërbimet laboratorike ndalen pas datës 20 të çdo muaji për shkak të limitit të buxhetit.
“Pres që SPAK të hetojë edhe çështjet e shëndetësisë. Të hetohet koncesioni i laboratorëve që sot po e vuajnë shqiptarët. Shteti u thotë qytetarëve të mos sëmuren pas datës 20 se nuk bën dot analiza pas datës 20,” u shpreh ai.
Gazetari shtoi se pacientët përballen me pritje të gjata, që shpesh zgjasin deri në një muaj e gjysmë, vetëm për të kryer analizat bazike. Sipas tij, ata që nuk kanë mundësi financiare për t’u drejtuar te klinikat private, përballen me rrezikun që sëmundjet të avancojnë pa u diagnostikuar në kohë.
“Shkon te mjeku i familjes për të bërë analizat dhe nuk i bën dot sot për nesër; pas një muaji e gjysmë bëhen. Ata që nuk kanë mundësi të shkojnë te privati duhet të presin, ndërsa sëmundja e tyre mund të avancojë.”
Stafa theksoi se përveç problemit të laboratorëve, pritet që SPAK të hetojë edhe krizën e vazhdueshme të barnave onkologjike, të cilat shpesh mungojnë në spitalet publike, duke rrezikuar jetën e pacientëve me sëmundje të rënda.
“Unë di që ka hetime, por pres edhe hetime për mungesën e barnave onkologjike.”
and then