Dëmet nga përmbytjet/ Bozdo thirrje qeverisë: Dëmshpërbleni banorët e prekur, shpallni gjendjen e jashtëzakonshme!

Mijëra fermerë në disa qarqe të vendit po përballen me humbje të mëdha pas përmbytjeve masive të ditëve të fundit, që kanë shkatërruar gjedhë, sera dhe kultura bujqësore në qindra hektarë. Ndërsa ujërat vijojnë të mos tërhiqen plotësisht, akuzat ndaj pushtetit vendor dhe atij qendror janë ashpërsuar, me pretendimin se mungesa e mirëmbajtjes së kanaleve kulluese ka qenë shkaku kryesor i katastrofës.

Deputeti i PD Enno Bozdo kërkon dëmshpërblim të plotë për çdo fermer të prekur dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, duke theksuar se qeveria ka mundësi financiare por mungesë vullneti për të reaguar.

Më poshtë deklarata e tij:

DËMSHPËRBLIM I PLOTË PËR FERMERËT E BERATIT DHE GJITHË SHQIPËRISË

Në javën e fundit, mijëra gjedhë u mbytën dhe qindra e qindra hektarë tokë bujqësore e mbjellë, në sera dhe fusha, u përmbytën të tëra, duke i lënë në mëshirë të fatit mijëra fermerë të Beratit, Korcës, Gjirokastrës, Sarandës, Lezhës etj, që kursimet e një vitit të tërë pune e kishin investuar në sera dhe fushat e mbjella. Fakti që edhe pas një jave, ujërat ende nuk janë tërhequr, tregon qartë se problem nuk kanë qënë reshjet, por fakti që kanalizimet kulluese nuk funksionojnë!

Balta që ka mbetur pas tërheqjes së ujrave praktikisht ka shkatëruar gjithcka, si dhe e ka bërë të pamundur vjeljen e prodhimit, sepse tashmë nuk mund të hyet më me mjete në parcela.
Në qarkun e Beratit, fermerët e Kozares dhe Tapisë në Kucovë, Hingës, Samaticës, Goricanit, Dronovicës, Cifligut, Arrëzës, Banajt në Dimal, por edhe në fshatra të tjerë dhe bashki të tjera të Qarkut, sot gjenden në mëshirë të fatit!
Jo sepse shiu që ra ishte i papërballueshëm, por sepse pushteti vendor dhe ai qëndror, e ka lënë infrastrukturën kulluese në mëshirë të fatit, pa investime, pa pastruar e pa mirëmbajtur. Këtë papërgjegjshmëri, sot e paguajnë shtrenjtë fermerët e Beratit dhe të gjithë Shqipërisë.
Sepse nuk mjafton fakti që këta fermerë nuk marrin asgjë si mbështetje për prodhimin e tyre, por edhe kur përmbyten për faj të atyre që qeverisin, përsëri i lënë në mëshirë të fatit.
Në këtë qeverisje, fermeri shqiptar është i përbuzur, i lënë mënjëanë, si qytetari më fundit dhe më i parëndësishmi. Për atë nuk kujtohet njeri, vecse kur vijnë zgjedhjet dhe i kërkojnë votën.
Në dy bashkitë ku dëmet ndaj fermerëve janë më të mëdha, atë të Dimalit dhe Kucovës, na rezulton se prej shumë vitesh nuk investohet as edhe një lek në mirëmbajtjen, riparimin dhe zhbllokimin e kanaleve kulluese bujqësore. Të dy kryebashkiakët socialistë të këtyre bashkive, duke parë dëmet e shkatuara, kanë detyrim të bëjnë publike të dhënat për mirëmbajtjen e kanaleve kulluese. Sa investime kanë bërë? Cilat janë kompanitë fituese? Cila është përgjegjësia e tyre? Por nuk ka ndodhur një mirëmbajtje të tillë në terren, dhe këtu përgjegjësia bie e tëra mbi pushtetin vendor.
Ashtu sic edhe bashkia e Beratit është përgjegjëse për përmbytjen dhe dëmtimin e bizneseve dhe parkimit në qendër të qytetit, sepse projektimi dhe zgjidhja inxhinierike është bërë gabim, aty buzë lumit Osum.
Për këtë arsye i kërkoj ministrit të bujqësisë dhe pushtetaëve vendore, të përllogarisin sa më parë dëmin e shkaktuar cdo fermeri dhe cdo biznesi të qarkut Berat dhe Shqipërisë, si dhe i kërkoj në të njëjtën kohë ministrit të financave të alokojë fondin për dëmshpërblimin 100% të cdo dëmi të krijuar.
Paratë janë. Përpara dy javësh, qeveria shpërndau me akt normativ qindra milionë euro, mes tyre edhe për shpenzime administrative. Këto para janë të domosdoshme për të ndihmuar mijëra fermerë që kanë humbur kursimet e tyre, dhe gjenden tashmë në vështirësi të medha ekonomike. Për këtë mjafton që qeveria të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, sepse është detyrim i qeverisë t`i përgjigjet deri më një këtyre dëmeve. Mundësitë janë, mungon vetëm vullneti!



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×