
Ministrja e Jashtme Elisa Spiropali ka reaguar ndaj urimit të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Në një postim në platformën X, ajo shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe theksoi lidhjet e forta historike mes dy vendeve.
Spiropali u rikthye tek momentet kyçe të historisë shqiptare, duke theksuar rolin vendimtar që SHBA ka luajtur në çastet më të vështira për kombin.
“Etërit tanë themelues, të cilëve u detyrohemi lirinë dhe pavarësinë, e dinin se në orët vendimtare të kombit shqiptar, Amerika qëndronte në krahun tonë,” shkroi ajo.
Ministrja nënvizoi se shqiptarët nuk e harrojnë mbështetjen amerikane, veçanërisht në afirmimin e së drejtës së Shqipërisë për të ekzistuar si shtet dhe në Pavarësinë e Kosovës.
“Sot, kjo miqësi na bashkon në altarin e vlerave që ndajmë – lirinë, demokracinë, paqen, sigurinë dhe dinjitetin njerëzor,” vijoi Spiropali.
Në reagimin e saj, ajo vuri në dukje edhe bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve në NATO, në forcimin e zbatimit të ligjit, si dhe në përballjen me kërcënimet kibernetike dhe sigurimin e qëllimeve të përbashkëta strategjike.
Ndërsa vendi feston Ditën e Pavarësisë, Spiropali deklaroi se Shqipëria synon të thellojë akoma më shumë partneritetin me SHBA-në, duke zgjeruar bashkëpunimin ekonomik dhe duke forcuar miqësinë mes dy popujve.
Në fund të mesazhit të saj, ajo falënderoi Sekretarin Rubio për urimet dhe “partneritetin e palëkundur e besnik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.”
Postimi i Spiropalit në X:
Etërit tanë themelues, të cilëve u detyrohemi sot lirinë dhe pavarësinë tonë, e dinin se në orët vendimtare të kombit shqiptar, Amerika qëndronte në krahun tonë.
Ne nuk e harrojmë, dhe nuk do ta harrojmë, se në orët më kritike të historisë sonë – në afirmimin e së drejtës së Shqipërisë për të ekzistuar dhe në Pavarësinë e Kosovës – populli amerikan luajti një rol vendimtar.
Në ato momente, distanca mes dy vendeve tona u zhduk dhe fatet tona u ndërthurën në mënyrë të pandashme.
Kjo miqësi sot na bashkon në altarin e vlerave që ne ndajmë. Kombet tona lidhen nga një besim i thellë te liria, demokracia, paqja, siguria dhe dinjiteti njerëzor.
Ne e vlerësojmë thellësisht mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për rolin e Shqipërisë në NATO, përpjekjet tona të përbashkëta për të forcuar bashkëpunimin në zbatimin e ligjit, si edhe ndërveprimin tonë të ngushtë në luftën kundër kërcënimeve kibernetike dhe në mbrojtjen e sigurisë sonë të përbashkët.
Ndërsa festojmë Ditën tonë të Pavarësisë, me mirënjohje në zemër dhe me një vendosmëri të qartë, synojmë të thellojmë më tej bashkëpunimin tonë strategjik, të zgjerojmë lidhjet tona ekonomike dhe të forcojmë edhe më shumë miqësinë e qëndrueshme e të palëkundur mes popujve tanë.
Faleminderit @SecRubio për urimet e ngrohta dhe për partneritetin e palëkundur e besnik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
and then