
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar në rrjetet sociale pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, lidhur me çështjen e pezullimit nga detyra të Belinda Ballukut. Bardhi akuzon Ramën se në vend që t’i japë publikut sqarime ligjore, ka zgjedhur sulmet politike dhe, sipas tij, ka pranuar se është drejtpërdrejt i përfshirë në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj ish-ministres.
“7 minuta e 38 sekonda foli Edi Rama, në një përpjekje të sforcuar për të justifikuar avokatinë e paprecedent të të pandehurës Belinda Balluku, që e mban peng me aferat e përbashkëta korruptive,” shkruan Bardhi në postimin e tij.
Ai thotë se qytetarët prisnin që kryeministri të sqaronej mbi deklarimet që bëri një ditë më parë, kur pretendoi se Komisioni i Venecias dhe Gjykata e Strasburgut ndalonin pezullimin e një ministri nga detyra. Sipas Bardhit, Rama nuk citoi asnjë dokument dhe u largua nga argumentet ligjore për të sulmuar opozitën.
“Shqiptarët prisnin t’iu thoshte se në cilin opinion të Venecias apo vendim të Strasburgut thuhej se ministri nuk mund të pezullohej. Në vend të kësaj, ai u hodh me akuza e sharje ndaj opozitës që çmontoi gënjeshtrat e tij,” shkruan Bardhi, duke e cilësuar Ramën “shkollëpak, leximhic dhe të marrë peng”.
Deputeti demokrat shprehet se risia e deklaratës së sotme të kryeministrit ishte pranimi i faktit se ai është palë në procesin gjyqësor ndaj Belinda Ballukut. “Edi Rama pranoi se ai është palë në procesin gjyqësor të Belinda Ballukut, njësoj siç është palë në aferën korruptive të Tunelit të Llogarasë,” shkruan Bardhi.
Në përfundim të reagimit, ai shton se nëse Rama vetë deklaron se është palë, atëherë SPAK dhe GJKKO duhet ta thërrasin si të tillë. “Në këtë kuptim, Rama ka të drejtë që herës tjetër prokurori i SPAK dhe gjyqtari i GJKKO duhet ta thërrasin si palë në korrupsion, krah për krah me të pandehurën Belinda Balluku,” përfundon Bardhi.
and then