“Rindërtimi, minierë floriri për qeverinë”/ Tabaku: 6 vite nga tërmeti, kosto të fryra mbi 1.3 miliardë euro e mijëra familje pa një banesë

Jorida Tabaku ka reaguar nëpërmjet një statusi të gjatë në Faceook, lidhur me situatën ekonomike. Tabaku ka rikthyer shqetësimin e saj tek gjendja që mbetën qytetarët gjashtë vite pas tërmetit që goditi vendin.

‘Rindërtimi u kthye në një minierë floriri për qeverinë, ndërsa familjet e prekura u lanë peng i premtimeve të pambajtura.”, shprehet ajo.

Reagimi i plotë i Jorida Tabakut;

Gjashtë vite më parë, vendi ynë u godit nga tragjedia e tërmetit që la pa strehë qindra familje dhe krijoi një traumë kolektive të pashlyeshme për të gjithë shqiptarët.

Ajo që duhej të ishte një periudhë e përbashkët rimëkëmbjeje u kthye, për fat të keq, në një oportunitet abuzimi për qeverinë socialiste.

Ndërsa komuniteti ndërkombëtar u mobilizua me grante dhe kredi të buta, qeveria premtoi zgjidhje të shpejta dhe rindërtim brenda pak vitesh. Sot, bilanci është tronditës: kosto të fryra mbi 1.3 miliardë euro dhe mijëra familje ende pa një banesë të përfunduar.

Pse ndodhi kjo?

Sepse qeveria zgjodhi të thyente rregullin bazë të financave publike: u hodh në tenderime pa fonde në buxhet, duke fshehur kostot reale dhe duke i rritur ato artificialisht ditë pas dite. Rezultati ishte absurd:

– Një shkollë e ndërtuar me fondet e BE ka kushtuar rreth 600 mijë euro,

– Ndërsa e njëjta shkollë, e ndërtuar me buxhetin e shtetit, kushtonte 2.2 mln euro sipas Bashkisë Tiranë.

Rindërtimi u kthye në një minierë floriri për qeverinë, ndërsa familjet e prekura u lanë peng i premtimeve të pambajtura.

Për muaj me radhë, qeveria mohoi krizën në financat publike. Derisa u detyrua të pranojë atë që shqiptarët e ndjenë në përditshmëri: 1.3 miliardë euro barrë në buxhet për ndërtime ende të papërfunduara.

Vitet kalojnë, kostoja rritet, dhe mijëra njerëz mbeten ende të pastrehë — ndërsa premtimi i rindërtimit vazhdon të përdoret si refren elektoral i dështimit.

Përse qeveria preferoi të paguante me 1.3 miliardë euro taksat e shqiptarëve dhe jo me fondet e BE?

Për një arsye të thjeshtë: fondet e BE janë më ekonomike, më transparente dhe nuk lejojnë abuzime. Qeveria zgjodhi eurobondet më të shtrenjta, duke i ngarkuar shqiptarët me interesa të larta dhe borxh afatgjatë.

Gjashtë vite pas tragjedisë, e vërteta është e hidhur:

Shqiptarët janë edhe në borxh, edhe ende pa strehë. Tërmeti u kthye në një mundësi për të pasuruar pakicën në pushtet, ndërsa shumica e qytetarëve paguan faturën.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×