A ka një lëvizje të re brenda demokratëve? Kikia: Duhet të ngrihet një platformë brenda partisë, e vetmja mënyrë për të shpëtuar PD-në

Analisti dhe gazetari Mentor Kikia, në një komunikim për News24, ka komentuar takimin e zhvilluar së fundmi mes disa prej eksponentëve më të votuar të Partisë Demokratike në primare, si dhe në listat e hapura.

Sipas tij, kjo situatë ka ndezur diskutimet për një lëvizje të re të brendshme brenda partisë kryesore të opozitës, por ende nuk shihet një nismë e qëndrueshme që mund të sjellë ndryshim real.

Kikia tha se perceptimi publik po e fryn këtë histori më shumë sesa është në realitet. “Mendoj se shumë njerëz dëshirojnë që ajo të ndodhë dhe kjo histori po fryhet. Nëse shohim mënyrën si po ndërtohet ky tur takimesh, ngjan me një foltore që organizoi Berisha kur mori sërish PD-në”, u shpreh ai.

Sipas analistit, mbështetja e PD vijon të bjerë edhe pas krizave të njëpasnjëshme të qeverisë. Ai theksoi se qytetarët po tregojnë indiferencë, edhe pse PD bën thirrje për protesta apo reagime publike. “PD duhet të shohë veten në pasqyrë për të parë edhe përgjegjësitë e veta,” deklaroi Kikia.

Ai u ndal edhe te klima e brendshme e partisë, duke theksuar se ekziston një grupim i gjerë që mendon se duhet të ketë ndryshim. “Disa kanë kurajën ta pohojnë, disa i ruhen e disa i druhen. Disa përpiqen të jenë mirënjohës që janë në Parlament pas mundësisë që Berisha u dha,” tha ai, duke shtuar se pikërisht kjo e bën kryetarin aktual të ketë frikë nga një reagim i brendshëm që mund të sjellë një ndarje tjetër të PD-së.

“Një ndarje tjetër do ta kthente PD në një organizatë joqeveritare antikorrupsion, ku e vetmja gjë që mund të bëjë do të ishin denoncimet,” nënvizoi Kikia.

Megjithatë, ai theksoi se ende nuk shikon një lëvizje të organizuar apo serioze që mund të krijojë një realitet të ri brenda PD-së. “Nëse ka një grup të caktuar në PD, le të zhvillojnë betejën demokratike brenda partisë, të ngrejnë një platformë, të lobojnë për të marrë shumicën e votave dhe të fitojnë garën ndaj Berishës. Vetëm kështu shpëtohet PD,” u shpreh Kikia, duke shtuar se çdo përpjekje që zhvillohet “nëpër kafene” do ta kthejë partinë në një “parti kafenesh” dhe asgjë më shumë.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×