Ankimimi i Ramës për pezullimin/ 8 gjyqtarët e Kushtetueses vendosin për fatin e Ballukut, dy skenarët, seancë me ballafaqimin e dokumenteve, ose…

Teksa Kolegji i Gjykatës Kushtetuese ka pranuar të shqyrtojë ankimin e qeverisë për Belinda Ballukun, e cila është e pezulluar me vendim të GJKKO, tashmë verdikti final i takon 8 gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Këta të fundit do të vendosin nëse do pranohet vendimi i GJKKO për pezullimin, apo Belinda Balluku do të kthehet në zyrë apo jo.

Në një lidhje live për News24, gazetarja Klodiana Lala tha se tashmë filtri i parë për këtë çështje kaloi në Kolegjin e Kushtetueses. Sipas Lalës, që 8 gjyqtarët të marrin pjesë në mbledhjen do të duhet të jenë të njohur me aktet e dosjes të paktën 48 orë para, siç u përdor me zonjën Xhaferrllari. Gazetarja pohoi se nëse do të kemi një vendimmarrje sot, ajo do të duhet të jepet para orës 17:00.

“Mund të kalojë në seancë mbi bazë dokumentesh, ku palët sjellin pretendimet e tyre apo dhe për një seancë plenare publike, ku palët sillen në seancë. Thelbi i të gjithë kësaj historie ka rëndësi vetëm në një pikë, a do të mblidhet sot mbledhja e gjyqtarëve?”, tha Lala.

Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i ndaluar gjithashtu të drejtën për të dalë jashtë vendit. Ajo është marrë pandehur për procedurat në tenderin e tunelit të Llogarasë dhe është nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe. Në të dy rastet dyshohet se fituesi është paracaktuar. Prokuroria e posaçme ka bërë të ditur se po heton dhe një sërë procedurash të tjera prokurimi.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×