
Me rastin e 81-vjetorit të lindjes së Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, ministrja Elisa Spiropali ka bërë një postim përkujtimor, ku vlerëson rolin e tij si prijës politik dhe shpirtëror të popullit kosovar.
Në mesazhin e saj, Spiropali kujton se qysh në fëmijëri Ibrahim Rugova i ishte shfaqur si një figurë profetike, ndërsa më vonë e kishte kuptuar se ai “nuk ngjante me askënd tjetër”. Ajo thekson se Rugova nuk ishte politikan i zhurmshëm, por një lider që nuk ngrinte zërin, nuk sulmonte kundërshtarët dhe nuk kërkonte protagonizëm të panevojshëm — duke e cilësuar praninë dhe mungesën e tij “njësoj të rëndësishme”.
Sipas Spiropalit, Rugova evokonte Dardaninë dhe rrënjët e identitetit shqiptar, duke mishëruar qetësinë, vendosmërinë dhe një mision të qartë politik e shpirtëror. “Rugova nuk udhëhiqej nga turmat, por i udhëhiqte ato drejt dritës”, shkruan ministrja, duke nënvizuar rolin e tij në orientimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.
Ajo shton se në sytë e botës së qytetëruar, “Kosova dhe Rugova janë të pandarë”, ndërsa në traditën e Rilindjes Kombëtare, Rugova është parë si figurë udhëheqëse, për të cilin “dielli i shqiptarëve lind nga perëndon”.
Ibrahim Rugova, një nga figurat më qendrore të historisë së re të Kosovës, lindi më 2 dhjetor 1944 dhe udhëhoqi lëvizjen paqësore për pavarësinë e vendit. Ai mbetet një simbol i urtësisë politike dhe i rezistencës civile. “Do të kujtohet gjithmonë”, përmbyll Spiropali.
MESAZHI
Ibrahim Rugova
Ndoshta për shkak të emrit Ibrahim/Abraham, në fëmijëri Ibrahim Rugova më fanepsej si profet.
Më vonë konstatova se ky politikan nuk ngjante me askënd. Nuk çirrej, nuk mburrej, nuk denigronte kundështarët, nuk rrihte gjoksin, nuk luftonte të ishte kudo pa arsye. Prezenca dhe mungesa e Tij ishin njësoj të rëndësishme.
Rugova evokonte Dardaninë, rrënjët e identitetit tonë, atë që kemi qenë, atë që duhet të jemi.
Ibrahim Rugova ishte një Prijës politik e shpirtëror misionar. Butësia e Tij ishte Forcë e papërballueshme vendosmërie dhe pandryshueshmërie.
Rugova nuk udhëhiqej nga turmat.
Rugova turmat i udhëhiqte nëpër shtigje të panjohura, nga errësira drejt dritës.
Kosova dhe Rugova, Rugova dhe Kosova, janë të pandarë në sytë e botës së qytetëruar.
Në traditën më të ndritur të Rilindjes, për Rugovën dielli i shqiptarëve lind nga perëndon.
Në rrugën e mundimshme të Kosovës drejt Lirisë dhe Pavarësisë, Ibrahim Rugova priu me urtësi dhe vetëdijë atdhetare të palëkundur.
Lindi më 2 Dhjetor, 81 vite më parë. Dhe do kujtohet gjithmonë.
and then