Spiropali në takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel: Korridori VIII, arterie strategjike për mobilitetin ushtarak

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ndodhet në Bruksel ku po merr pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s. Takimi i sotëm i Ministrave të NATO-s konfirmon unitetin dhe angazhimin strategjik të Aleancës përballë sfidave shumëdimensionale të sigurisë në hapësirën Euro-Atlantike.

“Takimi i Ministrave të Jashtëm të NATO-s, për angazhimin strategjik të Aleancës sonë përballë sfidave të sigurisë, ku Shqipëria mbetet një aleat i besuar për forcimin e sigurisë kolektive”, shkroi Spiropali në rrjetet sociale duke publikuar pamjet nga selia e NATO. Spiropali thekson se “Shqipëria rikonfirmon angazhimin për mobilitetin ushtarak dhe rolin qendror të Korridorit VIII si arterie strategjike e gatishmërisë së NATO-s.”

“Ne dhe aleatët mbetemi të përkushtuar në modernizimin e infrastrukturës, harmonizimin e procedurave dhe rritjen e kapaciteteve për lëvizje të shpejtë, si kontribut konkret për sigurinë kolektive të Aleancës”, shkruan Ministrja. Në qendër të diskutimeve të këtij ministeriali do të jenë angazhimet e marra në Samitin e Hagës, vijimi i mbështetjes së palëkundur për Ukrainën, si dhe masat për forcimin e kapaciteteve të Aleancës kundër kërcënimeve të gjithanshme, përfshirë ato hibride.

Ministrja Spiropali do të ritheksojë rolin e Shqipërisë si një aleat i besueshëm, duke nënvijëzuar angazhimin për përmbushjen e vendimeve të marra në Samitin e Hagës, lidhur me rritjen e investimeve në fushën e mbrojtjes. Spiropali do të marrë pjesë gjithashtu në Takimin e vendeve nënshkruese të Letër-Marrëveshjes për Korridorin VIII, si arterie strategjike e mobilitetit ushtarak. Në këtë takim pritet të diskutohet rëndësia strategjike e avancimit të lëvizshmërisë së trupave dhe pajisjeve ushtarake në rajon, si dhe ftesa shqiptare për të mbajtur një takim Ministerial të vendeve nënshkruese në fillim të vitit të ardhshëm në Tiranë.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×