VIDEO/ 25-vjet Dhoma Amerikane e Tregtisë, VanHorn: Presidenti Trump ka përzemër marrëveshjet e drejta për të garantuar konkurrencën dhe luftën kundër korrupsionit

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri feston 25 vjetorin e themelimit në një Mbrëmje Gala, në ambientet e Mak Albania, me prezencën e Presidentit te Republikës  Bajram Begaj, Të Ngarkuarës me Punë në Ambasadën Amerikane znj, Nancy VanHorn dhe përfaqësues të Parlamentit, institucioneve shtetërore dhe trupit diplomatik.

Mbrëmja filloi me ceremoninë zyrtare dhe përshëndetjet e përfaqësuesve të lartë të shtetit dhe diplomacisë si edhe drejtuesve të Dhomës Amerikane.

E ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy VanHorn, theksoi se Dhoma Amerikane e Tregtisë mbetet kyçe në forcimin e zërit të biznesit dhe forcimin e bashkëpunimit mes vendeve.

“Është kënaqësi të bashkohem me ju për të festuar 25-vjetorin e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri. Ky përvjetor na kujton vizionin e guximshëm me të cilin u themelua Dhoma: të shërbejë si një urë midis komunitetit amerikan dhe atij shqiptar dhe të krijojë një mjedis ku kompanitë të konkurrojnë me drejtësi dhe të lulëzojnë. Sot, me mbi 250 kompani anëtare, ajo është bërë një nga zërat më të respektuar të biznesit në Shqipëri, duke avokuar për transparencë, llogaridhënie dhe praktika të ndershme.

Siç e thotë edhe Presidenti Trump, është e rëndësishme të mendojmë në mënyrë të madhe frymë që ka ndihmuar në forcimin e partneriteteve mes SHBA-së dhe Shqipërisë dhe në luftën për marrëveshje të drejta, konkurrencë të shëndetshme dhe kundër korrupsionit. Përparimet në sistemin e taksimit dhe politikat energjetike janë vetëm disa shembuj të ndikimit të rëndësishëm të Dhomës.

Ambasada Amerikane është krenare të punojë me ju për një ekonomi më transparente, më inovative dhe më të begatë. Faleminderit për përkushtimin tuaj dhe gëzuar 25 vitet e më shumë vitet që do të vijnë”, tha e ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy VanHorn.

Në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni, Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e forcimit të partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

“Kjo marrëdhënie strategjike është shprehur qartë edhe në mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë forcimit të shtetit të së drejtës, sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo është një mbështetje vendimtare për përparimin tonë demokratik dhe konsolidimin e institucioneve”, theksoi Begaj.

Drejtori Ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë Neritan Mullaj, nënvizoi se Dhoma ka luajtur rol të rëndësishëm duke ndikuar në reforma zhvillimore.

Mbrëmja Gala mblodhi përfaqësues të Parlamentit, institucioneve shtetërore, trupit diplomatic dhe përfaqësues të biznesit. E themeluar në vitin 2000 me 44 kompani, Dhoma Amerikane e Tregtisë është rritur në një komunitet prej 276 kompanish anëtare dhe përfaqëson bizneset më të rëndësishme që operojnë në vend.

 

 



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×