
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar përmes një deklarate në rrjetet sociale, pas publikimit të raportit më të fundit të Avokatit të Popullit, duke e cilësuar atë si konfirmim të akuzave që partia e saj ka ngritur prej më shumë se një viti mbi trajtimin e Ilir Metës në IEPV-në “Jordan Misja”.
Sipas Xhixhos, raporti zyrtar vërteton shkelje të rënda të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutës dhe ligjeve shqiptare, duke e përshkruar situatën e ish-presidentit Meta si “trajtim çnjerëzor” dhe si rezultat i një “procesi të montuar politikisht”.
Gjetjet e Avokatit të Popullit, sipas deklaratës:
Kufizimi i takimeve familjare dhe politike: Raporti ka konstatuar se reduktimi i takimeve të Ilir Metës në vetëm katër herë në muaj – niveli minimal i përcaktuar nga ligji – është kthyer në standard të ngurtë, pa marrë parasysh rrethanat individuale ose statusin e tij publik dhe politik. Sipas Xhixhos, kjo përbën kufizim të tepruar të së drejtës për jetë familjare dhe për veprimtari politike.
Ndalimi i vizitave të deputetëve dhe eurodeputetëve: Deputetja denoncon si shkelje të Kushtetutës kërkesën për autorizime të posaçme nga prokuroria, ndërsa ligji, në nenin 51, parashikon se deputetët mund të takojnë të paraburgosurit pa kërkesë të tillë.
Kufizimi i komunikimit politik: Xhixho thekson se drejtuesit e Partisë së Lirisë janë penguar të komunikojnë me Metën, duke e cilësuar këtë si veprim të pabazuar në ligj dhe si zbatim të një “urdhri politik”.
Ndërhyrja në komunikimin me median: Deputetja kritikon bllokimin e kontakteve të Metës me gazetarët, duke e përshkruar si shkelje të rëndë të lirisë së shprehjes.
Sipas Xhixhos, raporti thekson qartë se të paraburgosurit duhet të gëzojnë një regjim më të hapur dhe më të lirë, për shkak të parimit të prezumimit të pafajësisë. Ajo akuzon qeverinë se po përdor organet e drejtësisë dhe sistemin penitenciar si instrument politik.
“Këto janë praktikë e një shteti represiv, që shkel haptazi të drejtat e njeriut dhe funksionon mbi bazën e urdhrave politikë dhe jo të ligjit,” përfundon reagimi i saj.
and then