
Kompania izraelite “Elbit Systems”, e cila ka lidhur marrëveshje me kompaninë shqiptare KAYO për rihapjen e Akademisë së Aviacionit në Vlorë, është përfshirë në një skandal. Autoritetet belge kanë nisur një hetim në lidhje me disa kontrata të rëndësishme të firmosura mes kompanisë izraelite dhe Agjencisë së Prokurimeve të NATO-s.
Mediat belge raportojnë se Prokuroria Federale ka lëshuar një urdhër ndërkombëtar arresti për një konsulent që ka vepruar në emër të kompanisë izraelite të mbrojtjes Elbit Systems, për lidhjen e kontratave të rëndësishme me NATO-n.
Konsulenti i shpallur në kërkim është 60-vjeçari Eliau Eluasvili, i cili dyshohet për “korrupsion aktiv” dhe “pjesëmarrje në organizatë kriminale”. Hetuesit besojnë se gjatë disa viteve, Eluasvili ka ndihmuar kompaninë Elbit Systems të siguronte kontrata të manipuluara nga Agjencia e Prokurimeve në NATO. Ai rezulton i përfshirë në një rrjet kompanish konsulence të regjistruara në Lituani, SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Greqi dhe Rumani. Sipas dokumenteve të brendshme, NATO ka pezulluar 15 kontrata, prej të cilave 13 i përkisnin kompanisë Elbit Systems dhe filialit të saj Orion Advanced Systems. Këto kontrata përfshinin furnizime me ndezës ajrorë, municione dhe predha për forcat e armatosura të NATO-s. Ndër kontratat më të mëdha të pezulluara është ajo për modernizimin e flotës së anijeve patrulluese të Marinës Portugeze, me vlerë 100 milionë euro për periudhën 2016–2024.
Dyshimet përforcohen nga fakti se të gjithë agjentët ose ish-agjentët e NATO-s të arrestuar në muajt e fundit kanë qenë aktivë në programin e municioneve të agjencisë së prokurimeve të NATO-s. Një prej tyre, Guy Moeraert, një ish-ushtar belg që më vonë u bë konsulent, dyshohet se ka marrë 1.9 milionë euro ryshfet për programe municionesh dhe pajisjesh aeronautike me vlerë disa qindra milionë euro. Ai është akuzuar për “korrupsion aktiv dhe pasiv, pastrim parash dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale”. Avokati i tij tha se ai ka vënë gjithçka në dispozicion të hetuesve, duke përfshirë edhe emra konkretë.
Gjykatat belge po punojnë për të zbuluar nëse ish-agjenti i Agjencisë së Prokurimeve të NATO-s ka punuar me konsulentin e kompanisë që lidhet me KAYO-n e drejtuar nga Ardi Veliu dhe nëse ai e ka ndihmuar për të siguruar disa kontrata të NATO-s. Kompania KAYO ka firmosur marrëveshje me kompaninë izraelite Elbit Systems për rihapjen e Akademisë së Aviacionit në Vlorë. Marrëveshja u nënshkrua në Vlorë, në prani të Kryeministrit Edi Rama. Sipas njoftimit të kompanisë KAYO, ky projekt do të shërbejë për ngritjen e kapaciteteve të edukimit dhe trajnimit të pilotëve dhe kontrollorëve të fluturimit, duke garantuar mbështetje për Forcat e Armatosura në fushën e aviacionit.
and then