“Të barabarta në politikë dhe në jetën publike”, Vokshi prezanton në PPE një rezolutë kundër dhunës ndaj grave

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, në emër të EPP Women, prezantoi sot në Asamblenë Politike të PPE-së rezolutën për “Luftimin e dhunës ndaj grave në politikë dhe jetën publike”, duke vënë këtë çështje në qendër të axhendës politike të partive evropiane të qendrës së djathtë. Rezoluta konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt garantimit të përfaqësimit të barabartë dhe mbrojtjes së demokracisë në vendet e Evropës. “Kjo votë nuk ka të bëjë me një dokument teknik, por me të drejtën e grave që të jenë të pranishme dhe të barabarta në politikë, pa frikë dhe pa dhunë,” deklaroi znj. Vokshi gjatë fjalës së saj, në cilësinë e zëvendëspresidentes së EPP Women.

Në të gjithë Evropën, gratë në jetën publike përballen me sulme fizike, kërcënime, përfshirë edhe kërcënime për jetën, dhunë seksuale, intimidim psikologjik, pengesa ekonomike dhe fushata online denigruese.

Sipas të dhënave të institucioneve ndërkombëtare dhe evropiane:
* 85% e deputeteve kanë përjetuar dhunë psikologjike
* gati 1 në 2 ka marrë kërcënime për vdekje ose përdhunim
* 1 në 4 ka përjetuar dhunë seksuale
* 73% e gazetareve në botë përjetojnë dhunë online dhe 1 në 5 edhe dhunë fizike

“Dhuna ndaj grave në politikë dhe në jetën publike në Shqipëri shpesh vjen nga Kryeministri, ministrat, kryetarët e bashkive apo kolegë deputetë. Këto zhvillime tregojnë se dhuna ndaj grave nuk është problem i izoluar, por një rrezik real për demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Një demokraci që përjashton gratë nuk është demokraci. Dhuna ndaj grave në politikë nuk është çështje ideologjie; është çështje lirie dhe demokracie. Frika nuk do të vendosë zgjedhjet, kriminelët nuk do të heshtin gratë dhe mizogjinia nuk do të sundojë demokracitë tona,” theksoi Vokshi.

Kërkesat kryesore të Rezolutës së EPP Ëomen ndaj PPE-së dhe institucioneve evropiane
1. Tolerancë zero ndaj dhunës kundër grave në parti, politikë, jetën publike dhe institucione
2. Mbrojtje konkrete për gratë në politikë (fizike, ligjore, psikologjike dhe institucionale)
3. Zbatim të plotë të Konventës së Stambollit
4. Ndjekje penale të dhunës politike
5. Përgjegjësi ligjore për dhunën në platformat online
6. Mbrojtje të plotë për gazetaret dhe aktivistet
7. Kushtëzim të fortë në procesin e zgjerimit të BE-së për vendet ku sundon dhuna dhe mizogjinia
Rezoluta u bën thirrje të gjitha partive, institucioneve dhe vendeve partnere që të mbrojnë dinjitetin njerëzor, lirinë e shprehjes dhe shtetin e së drejtës, duke mbrojtur gratë që mbrojnë demokracinë çdo ditë.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×