Projektligji për koncesionet/ Ibrahimaj: Lidhje e detyrueshme mes PPP-ve dhe investimeve strategjike. Standarde për secilin projekt, rol edhe pushteti vendor

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj prezantoi sot në Kuvend projektligjin e ri “Për koncesionet dhe partneritetin publik-privat”, i cili synon të krijojë një kornizë moderne dhe të harmonizuar me standardet e Bashkimit Europian për bashkëpunimin e shtetit me sektorin privat në financimin dhe ofrimin e shërbimeve publike.

Sipas ministres, projektligji është hartuar me asistencën e SIGMA/OECD, është konsultuar me institucionet dhe palët e interesuara, ka kaluar në konsultim publik dhe është diskutuar në detaje me Komisionin Europian, duke reflektuar të gjitha komentet e tij në draftin final.

Ibrahimaj theksoi se partneritetet publik-privat (PPP) janë një instrument i rëndësishëm global për ofrimin e shërbimeve publike dhe mund të sjellin vlera të mëdha për qytetarët nëse zbatohet transparenca dhe kontrolli rigoroz. Në vitin 2024, në Shqipëri ka pasur 233 kontrata PPP në infrastrukturë dhe energji, që përbëjnë 27% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga të cilat 11 kontrata kanë mbështetje buxhetore.

“Projektligji sjell risitë kryesore: lidhjen e detyrueshme mes PPP-ve dhe investimeve strategjike, vendosjen e kritereve të detyrueshme dhe standardeve për secilin projekt, përfshirjen e njësive të vetëqeverisjes vendore në projektet PPP, funksionalizimin e plotë të Regjistrit Elektronik të Koncesioneve dhe PPP-ve, si dhe forcimin e kontrollit fiskal dhe mekanizmave të integritetit dhe antikorrupsionit”, tha ajo.

Ibrahimaj theksoi se, një element i rëndësishëm i projektligjit është krijimi i Njësive të Zbatimit të Kontratave pranë çdo autoriteti kontraktues, të cilat do të monitorojnë zbatimin e kontratave, performancën dhe raportimin periodik.

Sipas ministres Ibrahimaj, ky ligj synon të krijojë një kuadër të qëndrueshëm dhe konkurrues për investimet private në sektorët strategjikë, duke përfshirë infrastrukturën, energjinë, mjedisin, turizmin, shëndetësinë dhe arsimin, dhe kontribuon drejtpërsëdrejti në konsolidimin fiskal dhe përmirësimin e klimës së biznesit në vend.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×