
Sekretari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, nëpërmjet një reagimi në Facebook është shprehur se Ilir Meta ndodhet i ziluar në burg dhe se i është privuar e drejta për të komunikuar me mediat.
Blushi ka përmenduar edhe rastin e Alexei Navalny në Rusi, ndërsa thotë se edhe nga burgu në Arktik ku më pas humbi jetën, Navalny fliste lirshëm për mediat.
REAGIMI I TEDI BLUSHIT:
Vladimir Putin nuk ia mohoi kurrë Alexei Navalnyt lirinë e shprehjes. Edhe nga burgu në Arktik, ku më pas humbi jetën, Navalny fliste lirshëm për mediat, denonconte kushtet çnjerëzore të trajtimit dhe kritikonte hapur regjimin autoritar.
Në Shqipëri ndodh e kundërta. Ilir Meta, i izoluar në ekstrem në burg, është privuar nga e drejta për të komunikuar me mediat. Me urdhër të Edi Ramës, atij i është ndaluar liria e fjalës dhe është ndëshkuar dy herë vetëm pse arriti të komunikonte në mënyrë indirekte me gazetarët.
Kur Tirana sillet më keq se Kremlini, çdo retorikë për integrim europian bie dhe shndërrohet në hipokrizi.
Çdo ditë që kalon pa u zbatuar 9 rekomandimet e Avokatit të Popullit provon se ndalimi, hetimi dhe burgosja e Ilir Metës janë akte politike kriminale, të diktuara nga vullneti personal i Edi Ramës.
Respektimi i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut nuk është opsion, por detyrim ligjor i panegociueshëm për Shqipërinë.
Beteja për lirinë e Ilir Metës është një betejë për liritë e të drejtat themelore dhe dinjitetin njerëzor të çdo qytetari shqiptar, për respektimin e KEDNJ, të Kushtetutës e ligjit.
Përballë një drejtësie të politizuar dhe të kontrolluar nga pushteti, nuk mbrohet thjesht një lider politik, por parimi se askush nuk duhet të jetë viktimë e një sistemi të komanduar politikisht.
Kjo nuk është një betejë politike, por një luftë për demokraci, për shtetin e së drejtës dhe për Shqipërinë europiane që meritojmë.
and then