
Një zhvillim i fortë juridik ka shoqëruar çështjen e bujshme të operacionit policor “Metalurgjiku”. Pas një seance maratonë që zgjati rreth 6 orë, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan i ka vlerësuar arrestimet si të paligjshme. Prokuroria ka bërë të ditur se do ta apelojë vendimin sapo ai të zbardhet zyrtarisht.
Prokuroria ndërkohë ka bërë të ditur se do ta apelojë vendimin sapo ai të zbardhet zyrtarisht.
Seanca gjyqësore, e zhvilluar me dyer të mbyllura, përfundoi rreth orës 18:00, ndërsa gjyqtari i çështjes, Denis Frroku, kërkoi kohë shtesë për shpalljen e vendimit përfundimtar. Për njërin nga të arrestuarit, masa e sigurisë ju komunikua në spital, pasi ai ndodhet i shtruar për shkak të problemeve serioze kardiake.
Përfaqësimi i akuzës u bë nga Drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi, ndërsa objekti i seancës ishte “vlerësimi i arrestimit/ndalimit dhe caktimi i masës së sigurisë”. Vendimi për zhvillimin e seancës me dyer të mbyllura u justifikua me ndjeshmërinë e lartë të çështjes dhe me hetimet e thelluara që vijojnë për krime të rënda mjedisore.
Një nga goditjet më të forta ndaj krimit mjedisor
Operacioni “Metalurgjiku”, i finalizuar fundjavën e kaluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, pas një hetimi disa mujor me metoda speciale dhe nën drejtimin e Prokurorisë, konsiderohet si një nga aksionet më të forta kundër krimeve mjedisore në vitet e fundit.
Hetimet kanë në fokus aktivitetin e paligjshëm industrial në zonën e ish-Metalurgjikut në Bradashesh, ku dyshohet se ndotja sistematike ka rrezikuar drejtpërdrejt mjedisin dhe shëndetin e banorëve.
Subjekte tregtare nën hetim
Në kuadër të procedimit penal janë vënë nën hetim dy kompani:
-CCALB sh.p.k
-GSA Ferrokrom sh.p.k
Sipas organit të akuzës, këto subjekte dyshohet se kanë ushtruar përpunim të paligjshëm të mbetjeve dhe prodhim ferrokromi, në shkelje flagrante të legjislacionit mjedisor.
16 të akuzuar, administratorë dhe drejtues teknikë
Në pranga gjatë operacionit përfunduan 16 persona, shtetas shqiptarë dhe të huaj, mes tyre administratorë, drejtues teknikë dhe punonjës.
Shtetas të huaj:
Junceol Chung Biz, Rashul Pal, Stjuent Pal, Prakash Kadel, Muna Sung, Rajesh Kumarjadav, Autia Rai, Rahul Pal, Dheraj Kumar.
Shtetas shqiptarë:
Jakup Karaj, Ismail Dybeli, Dorian Xhufka, Elton Bejkolli, Besnik Abdia, Elton Beqi, Elis Flaga.
Ndërkohë, 7 persona të tjerë janë të shpallur në kërkim, mes tyre:
Bujar Zogu, Dritan Konica, Fejzo Meçaj, Ilir Londo, Gjergj Bezati, Agron Shpallo dhe Serafin Orgoça.
Akuza për ndotje masive dhe rrezik shëndetësor
Sipas hetimeve të kryera në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), subjektet nën hetim:
-kanë shkelur rëndë ligjin mjedisor,
-kanë ndotur ajrin, tokën dhe ujërat,
-nuk kanë zbatuar rregullat për menaxhimin e mbetjeve,
-kanë kryer përpunim të paligjshëm të mbetjeve të baterive, një aktivitet me rrezik ekstrem për shëndetin publik.
Për këto shkelje janë vendosur masa administrative të rënda, përfshirë gjobat në vlera milionëshe dhe pezullimin e aktivitetit.
Gjatë operacionit janë sekuestruar pajisje elektronike, celularë dhe sisteme DVR, të cilat do të shërbejnë si prova kyçe materiale.
Hetimet vijojnë, ndërsa pritet që vendimi përfundimtar i gjykatës dhe apelimi i prokurorisë të përcaktojnë fatin e një çështjeje që ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer në qendër të vëmendjes luftën ndaj krimeve mjedisore dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
and then