
Gazetari Almer Toska, i ftuar në emisionin “Studio24” në News24, ka komentuar aksionin e zhvilluar sot nga SPAK ndaj një grupi kriminal në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), duke e cilësuar ngjarjen si një çështje që prek drejtpërdrejt sigurinë kombëtare.
Sipas Toskës, përtej akuzave për korrupsion, rasti në fjalë lidhet me futjen e një pajisjeje përgjimi, e cila, sipas tij, ka ekspozuar të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë. “Me AKSHI-n ka ndodhur diçka shumë e rëndë, është futur një pajisje që na përgjon të gjithë. Privatësia e shqiptarëve ka rënë”, u shpreh ai.
Gazetari theksoi se AKSHI administron të dhëna sensitive, përfshirë informacion personal dhe llogari bankare, dhe se, sipas tij, këto të dhëna janë ekspozuar ndaj rreziqeve serioze. “Të gjithë ne kemi dalë zbuluar përballë armiqve apo enteve jo dashamirëse”, tha Toska.
Duke iu referuar personave të përfshirë në hetim, Toska deklaroi se figura si Ergys Agasi dhe të tjerët përfaqësojnë, sipas tij, vetëm hallkën e fundit të skemës. Ai pretendoi se personi kyç që ka pasur dijeni për atë që ka ndodhur është kryeministri Edi Rama, duke shtuar se ekzistojnë komunikime mes Ramës dhe anëtarëve të grupit të goditur, të cilat ndodhen në SPAK.
Sipas Toskës, kryeministri mund të thirret së shpejti nga SPAK si person në dijeni për këtë çështje.
and then