SPAK shton akuzat ndaj Belinda Ballukut dhe i kërkon Kuvendit autorizim për ta arrestuar/ “Në Shënjestër”: Rama kapet në befasi, ende pa një zgjidhje…

Emisioni “Në Shënjestër” në News24, me autore Klodjana Lala, këtë të martë diskutoi me një panel ekspertë dhe gazetarë, ecurinë e zhvillimeve që pritet të ndodhin pas kërkesës që SPAK i drejtoi Kuvendit për dhënie autorizimi për arrestimin e Belinda Ballukut, ku duket se Rama është gjendur në befasi.

Rama nuk e fshehu gëzimin një ditë më parë kur doli në podkastin e tij dhe foli triumfalisht për “patllaket” e BKH-së dhe shkeljet e etikës së oficerëve.

Megjithatë, SPAK nuk është se u intimidua shumë nga këto cic-mice të Edi Ramës dhe, ende pa u tharë boja e këtij vendimi të shumëdiskutuar, Prokuroria e Posaçme bëri lëvizjen e radhës.

Ajo kërkoi në Kuvend leje për të arrestuar Belinda Ballukun, gruan më të pushtetshme në qeveri në këto 30 vjet demokraci.

Pjesë nga dokumentari

Kjo ndodhi pikërisht një ditë pasi zonja Balluku u shfaq në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, pas një mungese të gjatë, që kur i nisën hallet me drejtësinë shqiptare.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ka paraqitur kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/ heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit: Belinda Balluku, lindur dhe banuese në Tiranë, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në shkresën e SPAK drejtuar Kuvendit.

Por ndryshe nga më parë, kur numri dy i qeverisë ishte e pandehur për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për tenderin loti 4 Unaza e Madhe, SPAK njoftoi se po e heton Belinda Ballukun edhe për disa procedura të tjera, çka e rëndon ndjeshëm pozitën e saj përballë drejtësisë. E se i duhet leje për ta arrestuar, për të ndaluar të besuarën e Edi Ramës që të prishë provat e frikësojë dëshmitarët.

“Shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:

  1. “Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;
  2. “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;
  3. “Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;
  4. “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
  5. “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
  6. “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
  7. “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, thuhet në kërkesën e SPAK.

Kërkesa prokurorëve të posaçëm ngjan se kapi në befasi shefin e qeverisë, i cili u zotua se për këtë kërkesë do të mbajë qëndrim të denjë e të drejtë.
“Që arrestet pa gjyq, në daç në shtëpi e në daç me burg, janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, e që Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur – një fakt i turpshëm pa asnjë lidhje me standartet demokratike europiane – gjë që ka shqetësuar seriozisht edhe Këshillin e Europës, kjo dihet botërisht. Por sigurisht që në rastin në fjalë, ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special. Ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi”, u shpreh Rama.

Se sa do të zgjasin këto halle të mazhorancës, pakkush di ta thotë me siguri. E sigurt është që Edi Rama ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare se çfarë do të bëjë me fatin e Belinda Ballukut: do ta votojë heqjen e mandatit apo do ta ruajë deri në fund të besuarën e tij?



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×