
Ndahet nga jeta ish-ambasadori Nesip Kaçi. Ish-diplomati ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare. Ndarja nga jeta e Kaçit, shënon humbjen e një personaliteti të jetës publike shqiptare, i cili për disa dekada rresht i shërbeu vendit me përkushtim.
Lindur në Gjirokastër më 7 qershor 1939, Kaçi i përkiste brezit të diplomatëve që u formuan mbi kulturën e fjalës, gjuhës së saktë dhe etikës së shërbimit publik. Formimi i tij filologjik dhe përvoja e hershme në përkthim dhe gazetari krijuan bazën e një profili profesional dinjitoz, që më pas do të shfaqej qartësisht në shërbimin diplomatik. Karriera e tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme, e nisur në vitin 1976, përkon me një nga periudhat më komplekse të politikës së jashtme shqiptare. Gjatë viteve, Nesip Kaçi mbajti detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në disa vende strategjike, duke përfaqësuar Shqipërinë në Rumani, Algjeri dhe Turqi.
Në Turqi, ku shërbeu si ambasador, Kaçi u vlerësua për korrektësinë, seriozitetin dhe aftësinë për të ruajtur ekuilibra diplomatikë në një rajon me ndjeshmëri të lartë gjeopolitike. Koleget e huaj dhe ne homologët e tij e kujtojnë si një bashkëbisedues të kulturuar, të respektueshëm dhe gjithnjë të gatshëm për dialog konstruktiv. Edhe pas përfundimit të shërbimit diplomatik, pas vitit 1993, ambasadori Kaçi mbeti i lidhur me botën intelektuale dhe reflektimin historik. Bashkautorësia e monografisë “Shqiptarët në Perandorinë Osmane”, botuar në vitin 1997, është dëshmi e interesit të tij të vazhdueshëm për historinë, identitetin dhe rrënjët kulturore shqiptare. Kontributi i tij është vlerësuar zyrtarisht me dy dekorata shtetërore, një për gazetarinë dhe një për diplomacinë.
and then