
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar fjalimin e tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD me akuza të forta ndaj qeverisë dhe institucioneve shtetërore, duke iu referuar një dosjeje të re që, sipas tij, është bërë publike së fundmi.
“E dëgjuat dje një dosje tjetër që doli. Është dosja më e pashembullt në historinë e një shteti”, u shpreh Berisha, duke akuzuar Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), si një institucion që varet drejtpërdrejt nga Këshilli i Ministrave.
Sipas kreut të PD, në një periudhë gjashtëmujore, një biznesmen dhe një ish-zyrtar janë marrë peng në bashkëpunim me policinë, pa asnjë njoftim apo transparencë publike. Berisha pretendoi se një nga personat e përfshirë ishte ish-ortak i kunatit të Linda Ramës, Gerond Meçe.
“E imagjinoni dot ju, një agjenci kombëtare që varet direkt nga këshilli i Ministrave, AKSHI është agjenci e Këshillit të Ministrave ku në një hark kohor 6 mujor merren peng një biznesmen dhe një ish-zyrtar, merren peng! Të merret peng ish-ortaku i baxhanakut, i kunatit të Linda Ramës, Gerond Meçe, dhe asnjë prej nesh të mos dijë asnjë fjalë se ka ndodhur, të mos ketë asnjë njoftim, asnjë njohuri”, tha ai.
Ai deklaroi se pengmarrja ka ndodhur në bashkëpunim me struktura shtetërore dhe se personat e rrëmbyer janë dërguar në ambientet e një grupi kriminal, ku, sipas tij, janë torturuar rëndë për t’i detyruar të tërhiqnin ankesat për tenderë publikë.
Berisha shtoi se viktima ka përfunduar më pas në Gjermani, ku ka dëshmuar dhe ka rrëfyer, sipas tij, gjithë të vërtetën mbi funksionimin e AKSHI-t, të cilën e cilësoi si “krenari” të qeverisë Rama.
and then