
Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në studion e News24, ka dhënë detaje lidhur me kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të zv/kryeministres Belinda Balluku dhe mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, e cila do të zhvillohet ditën e premte.
Sipas Lalës, nëse Kuvendi vendos t’i heqë imunitetin Ballukut, vendimi për masën e sigurisë, arrest me burg apo arrest shtëpie, do t’i takojë gjykatës. Ajo bëri të ditur se mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit pritet të jetë e gjatë, pasi përbëhet nga 10 anëtarë dhe Balluku, e shoqëruar nga avokatët e saj, ka të drejtën të paraqesë mbrojtjen.
Balluku pritet të jetë e pranishme në seancë, ndërsa SPAK ka kërkuar që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura. Qëllimi i kësaj procedure është dëgjimi i deputetes për të cilën kërkohet autorizimi i arrestimit, pasi ajo aktualisht gëzon imunitetin parlamentar. Çdo anëtar i Këshillit pritet t’i drejtojë pyetje Ballukut, çka e bën seancën të zgjasë për disa orë.
Sipas saj në mbledhje nuk do të jetë i pranishëm vetëm prokurori Dritan Prençi, i cili ndjek çështjen e Ballukut, por drejtuesi ende në detyrë i SPAK, Altin Dumani ka firmosur një vendim sipas të cilit në komision do të paraqiten të paktën tre prokurorë, për shkak të volumit të madh të dosjes dhe rëndësisë së veçantë të çështjes.
Lala theksoi gjithashtu se deri më tani anëtarët e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit nuk kanë marrë ende materialet e SPAK për dosjen e Ballukut. Bëhet fjalë për akte ekspertimi të celularëve të sekuestruar, si dhe materiale të lidhura me disa pajisje të konfiskuara së fundmi nga vartës të Ballukut dhe persona të konsideruar të besuar të saj. Komunikimet mes tyre kanë çuar në kontrolle të mëtejshme, ndërsa të dhënat e reja janë bashkangjitur në dosje si materiale që ndihmojnë hetimin.
and then