
Emisioni investigativ Vetting, News24
Çështja e pronës ka qenë një nga temat më të përfolura në tre dekadat e fundit në Shqipëri dhe mbetet ende një problem i pazgjidhur, qoftë ky regjistrimi, apo grabitja e një prone deri në konflikte të mëtejshme për të njëjtin subjekt.
Pjesë e këtij trendi është edhe Ibrahim Metaliaj, një 88-vjeçar nga Dragobia e Tropojës, i cili prej më shumë së 14 vitesh endet dyerve të gjykatave për të rimarrë pronësinë e truallit të tij.
Sipas Metaliajt, tjetërsimi i pronës erdhi si pasojë e bashkëpunimit të të afërmit të tij dhe kryebashkiakut të Tropojës, Rehe Byberi, asokohe kryetar i komunës Margegaj, nëpërmjet falsifikimit të dokumentave.
Ndërkohë Rexhe Byberi, kryebashkiaku i Tropojës, është një emër i njohur në publik, pasi është gjetur fajtor nga SPAK për akuzën “Shpërdorim të detyrës” për dëme ndaj buxhetit të shtetit prej gati tre milion eurosh. Po ashtu, ai është denoncuar shpeshherë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për shkelje në tendera, vlera e të cilave shkon në gati gjashtë milionë euro.
MARRJA E PRONËS
Historia e Ibrahimit zë fill në një nga zonat më historike në Shqipëri, vetëm 14 kilometra nga qyteti i Bajram Currit, në Grykën e Dragobisë, në një nga fshatrat e Malësisë së Tropojës, i cili njihet nga epika, lahuta dhe kullat trekatëshe, që dikur strehonte heronjtë legjendarë kombëtarë.
Sot, teksa turistët vizitojnë prurjen e natyrës unike të lumit Valbonë, në të vërtetë një tjetër prurje lumi rrjedh nëpër fshat: ajo e konfliktit dhe korrupsionit për pronën.
“Është neni 41 i Kushtetutës, i cili është neni bazë, themelor, që mbron pronën private dhe që patjetër e cilëson pronën private, si të paprekshme dhe të pacënueshme, gjë që vetëm kjo nuk duket të jetë në Shqipëri”, thotë për “Vetting”, avokate Anxhela Lame.
Ishte viti 1994, kur familja e Ibrahim Metaliajt doli përballë Gjykatës së Rrethit Tropojë dhe fitoi gjyqin e marrjes së truallit prej 5000 metrash katrorë. Për disa vite, ai e shfrytëzoi godinën si biznes, më pas për shkak të problemeve familjare, u detyrua ta mbyllte.
Megjithatë, në skenë del djali i xhaxhait i 88-vjeçarit, Zenun Metaliaj, i cili në vitin 2006 padit kushëririn e tij, Ibrahimin me pretendimin se nuk ka pjesëtuar pasurinë e sipërfaqes së përmendur mësipër dhe kërkonte “hakun” e tij. Ama, këtu ka një kleçkë: Zenuni i përkiste fshatit Llugaj dhe jo Dragobi ashtu si Ibrahimi.
“Unë nuk jam avokat, as prokuror, as gjyqtar, por kam dëgjuar sikur merr vendimi i gjykatës së formës së prerë është i padiskutueshëm, është mbyllur problem. Ai nuk ka as gjendje civile në Dragobi, as në kadastër në Tropojë. Atëhere si ka mundësi ai të ketë pronë në Dragobi për të shitur?”, rrëfen 88-vjeçari.
Në vendimin e dhënë nga Gjykata e Rrethit Tropojë përmendet se Komisioni i Tokës së fshatit Dragobi kishte vendosur me vendimin nr. 18, datë 05/11/1995, që kjo sipërfaqe të ndahej në dy pjesë, ku njëra pjesë t’i takonte Ibrahimit dhe tjetra Zenunit.
Pasi komisioni e ka pajisur me tapi toke Zenunin, po i njëjti komision nuk e ka marrë tapinë, që i kishte dhënë më parë Ibrahimit, duke bërë kështu që ky vendim të mos gjente zbatim.
Po ashtu, në atë kohë dëshmuan edhe komuna Margegaj, si dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tropojë. Ata argumentuan se ai truall është i zënë me objekte të ndërtuara para viteve 1990, të cilat ende deri në atë kohë, ishin të paprivatizuara dhe se mbi to vepronin ligjet e privatizimit të pronës shtetëtore.
Kështu, sipas tyre, trualli i zënë nga këto ndërtime, nuk është i regjistruar dhe rezulton pronë shteti, duke e rrëzuar padinë e Zenun Metaliajt dhe duke e cilësuar pjesëtimin e tokës si të padrejtë dhe të pabazuar në ligj.
Ndonëse ligji e rrëzoi, Zenuni nuk e la me kaq. Ai u shfaq përsëri në Dragobi rreth vitit 2007, së bashku me Rexh Byberin, i cili në atë kohë ishte kryetar i komunës dhe djalin e xhaxhait të këtij të fundit, Bashkim Byberi.
Më pas, në vitin 2008, sipas Ibrahim Metaliajt, ai njoftohet nga zyrtarë lokalë se Rexh Byberi ishte drejtuar për në Kadastrën e Kukësit me dokumente të falsifikuara, për të marrë pronën e tij.
“Jam takuar me shefin e kadastrës, z. Naim Tema, ish-Kadastrës së qarkut të Kukësit. Kam hyrë në zyrë, i thashë më jep kopjen e dokumentit, më tha “jo nuk ta jap. E kam në tavolinë por do t’ia kthej mbrapsht, se është pronë shtetërore, nuk lejohet t’ia japësh kujt, ajo pjesa në rrugë prej 3000 metrash””, rrëfen më tej 88-vjeçari.
Pas bisedës, Ibrahimi nisi të merrej me procedurat e denoncimit, në mënyrë që çdo gjë të ishte e dokumentuar dhe më vonë, bëri një kallëzim penal kundër kryetarit të asaj kohe të komunës, Rexhe Byberi.
Që në atë vit dokumentet e 88-vjeçarit, kallëzimi po ashtu, filluan rrugëtimin e tyre sa në Prokurorinë e Bajram Currit, në atë të Kukësit, ku përfunduan më vonë në Prokurorinë e Tropojës, për ta ndjekur penalisht Byberin, teksa çështja nisi të zvarritej.
Ndërkohë në vitin 2009, me shkresën numër 14, pa datë, vetëm me një firmë të Byberit, protokolluar nga komuna Margegaj, një komision i ngritur nga anëtarët Bajram Brahaj, Hazir Isufaj, Zyrah Koka, Imer Imeraj dhe Platin Cokaj, shqyrtuan godinën.
Ata konstatuan se ky objekt ka qenë i ndërtuar në vitin 1985, i papërfunduar komplet, i pashfrytëzuar asnjë ditë, i padorëzuar askujt dhe nuk kishte një roje. Ndërtimi i godinës, i përbërë prej kolonash betonarmesh, mure me tulla dhe guri, janë të dëmtuara dhe të shembura si rezultat i kushteve atmosferike.
Ata shtuan se çatia e cila ka qenë e ndërtuar me lëndë druri, është e shkatërruar komplet, ndërkohë që dyshemeja nuk duket e ndërtuar dhe dyert apo dritaret prej druri nuk ekzistojnë, së bashku me instalimet elektrikohidraulike. Për më tepër, suvatimet janë shkatërruar komplet, përsëri si pasojë e kushteve atmosferike.
Kështu, ky komision vendosi se si rezultat i gjendjes së mësipërme, ky objekt është jashtë kushteve teknike dhe është krejtësisht i dalë jashtë përdorimit. Po ky aktvlerësim u firmos nga kryetari i komunës, Rexh Byberi.
“Çka do të thotë këtu më tepër, mua më lind dyshimi që një zyrtar shtetëtor kërkon ta përvetësojë atë pronë, se sa më lind dyshimi që qytetari ka falsifikuar dokumenta për arsyet e veta. Pa dashur të bëj avokaten e djallit këtu, që të mbroj këto dokumenta, besoj që fillimisht duhet të ishin dërguar patjetër për verifikim të plotë dhe më pas, e adreson nëse është pronë shtetërore apo jo”, thotë avokate Anxhela Lame.
Ndërkohë, në po të njëjtin vit, pra në vitin 2009, shitja e sipërfaqes u krye midis Byberit dhe të afërmit të 88-vjeçarit, Zenun Metaliaj. Shuma që u pagua ishte prej 4 milionë lekësh.
Deri në vitin 2022, Ibrahim Metaliaj ka qenë dëshmitar i rindërtimit të godinës dhe punimeve të kryera në sipërfaqen e tokës, që ligjërisht i takonte atij me vendim të formës së prerë. Ndërkohë që 88-vjeçari është munduar ta denoncojë rastin kudo ku mund të mendohet se ka një vesh për ta dëgjuar padrejtësinë.
Sipas tij, ai e ka dërguar çështjen e tij pranë Prokurorisë së Përgjithshme, i ka shkruar Kryeministrisë, si dhe Avokatit të Popullit, Presidentit apo edhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Nga ana tjetër, kërkesa për ndihmë ka rënë në vesh të shurdhët, ndërsa vetëm një iu përgjigj: Bamir Topi. Ky i fundit ishte shprehur se çështjen e tij e kishte dërguar pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
“Kurrfarë problemi s’u zgjidh”, shprehet më tej 88-vjeçari.
“Shpresa vdes e fundit” thonë, ndaj edhe Ibrahimi nuk hoqi dorë dhe dërgoi dhe një herë kallëzim penal ndaj kryetarit të Tropojës, Rexh Byberi pranë SPAK. Çështja më në fund u mor nën hetim, por ende nuk ka patur një përditësim rreth detajeve të fundit se në cilën fazë ndodhen hetimet për dosjen.
“Vetting” ka dërguar një kërkesë për informacion pranë SPAK, nëse çështja vazhdon të jetë ende nën hetim apo jo, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka ende një përgjigje.
Ndërkohë që në kallëzimin penal ndaj SPAK, Ibrahim Metaliaj ka akuzuar Rexh Byberin për shkelje të ligjit nr. 107/2014 duke ndërtuar pa leje për qëllime përfitimi dhe për akuzën e veprës penale “Shpërdorim të detyrës”.
Akuza të tjera i shtohen si “Shkatërrim i pronës”, si dhe “Falsifikim dokumentash”, si dhe ka akuzuar dhe Zenun Metaliajn për “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
“Në kam gjë tjetër për të thënë të kthehet prona ime, ajo është për mua. Kryetari i bashkisë, në qofte se është fajtor e di shteti, nëse jam unë fajtor, e di drejtësia, shteti. Për mua e bëfshin ministër se ai për të ruajtur, mund të ketë prona të tjera por nuk po e akuzoj se nuk e di”, thotë Ibrahim Metaliaj.
SHKELJET E TJERA
Emri aktual i kryetarit të Bashkisë së Tropojës, Rexhe Byberi del në qendër të vëmendjes edhe si përfitues i një ndërtimi të ri, që sipas burimeve nga terreni, po ndërtohet pa leje në sipërfaqen ngjitur me godinën e bashkisë.
Nëse kalon në atë zonë dhe sheh këtë subjekt, nuk vihet re asnjë tabelë paralajmëruese apo informuese se aty po punohet, cila kompani e ka marrë përsipër projektin, kush e ka kërkuar lejen, sa është financimi etj.
Kjo bie në kundërshtim me ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i cili kërkon të ketë transparencë dhe informacionet rreth ndërtimit të jenë në dispozicion për publikun.
Redaksia kërkoi informacione në lidhje me këtë godinë dhe Bashkia Tropojë u përgjigj se për momentin për këtë objekt është regjistruar një procedim penal dhe çështja ndodhet nën hetim, asnjë detaj tjetër.
Ndërkohë, më 9 shtator të vitit 2024, nga hetimet e kryera në atë kohë, ekzistonin dyshime se kryetari i Bashkisë së Tropojës, Rexhe Byberi, në bashkëpunim me zv. kryetarin e asaj kohe, Abedin Kërrnaja, shpërdoruan detyrën e tyre, gjatë procesit për hapjen e rrugës “Stacion i Anijes Palçë-Guri i Lules”.
Kjo rrugë, me një gjatësi prej 3.2 kilometrash, ku 80% e së cilës, kalonte nëpër rrugë ekzistuese është bërë në kundërshtim me ligjin, duke shkaktuar një dëm prej 2.7 milionë eurosh në buxhetin e shtetit.
Në bazë të kësajt, SPAK i caktoi masën për arrest në shtëpi për Rexhe Byberin dhe bashkëpunëtorin e tij, nënkryetarin e bashkisë, Abedin Kërrnaja për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim të detyrës”. Ama, vetëm një vit më vonë më 1 gusht, GjKKO vendosi shuarjen e masës së sigurimit të tyre, bazuar në kërkesën e dy të pandehurve, duke i caktuar masën “detyrim paraqitje”.
Ndërkohë 10 ditë më vonë, deputeti i zgjedhur në Partinë Demokratike, Klevis Balliu në një deklaratë për mediat denoncoi një rast tjetër korruptiv në Bashkinë e Tropojës, në lidhje me Byberin. Sipas tyre, vetëm një javë pasi lirimit të kryetarit nga arresti shtëpiak, Byberi favorizoi familjarët e tij në një procedurë tenderimi, duke krijuar kësht një konflikt interesi, në dëm të interesit publik por edhe në atë mjedisor.
Ndërkohë, duke u rikthyer pak në kohë, më 21 shtator 2021, në kundërshtim me ligjin, kryetari i Bashkisë së Tropojës, Rexhe Byberi do të shpallte “Qytetar Nderi” në një restorant në Tiranë e jo në Bajram Curr, ish-zyrtarin e lartë Charles McGonigal.
Ky i fundit u dënua në shkurt të vitit 2024 nga Gjykata Federale e Uashingtonit me 28 muaj burg, “për shkelje të rëndësi të besimit të publikut”, lidhur me 225 mijë dollar që mori nga shqiptaro-amerikanët Agron Neza dhe mosdeklarimin e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë.
GJETJET E KLSH
Shpesh auditet e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë bërë thirrje rreth institucionit të Bashkisë së Tropojës, ku një prej tyre është dhe tenderi për shkollën “Asim Vokshi”, me fond limit 50 milionë lekë. Supozohej që me këto para në këtë gjimnaz, të ndërtoheshin terrene sportive dhe një palëstër.
KLSH kallëzoi më 11 nëntor 2021 nëntë zyrtarë të kësaj bashkie për këtë projekt, pasi ishte shkelur barazia e tenderave, duke u fituar pa të drejtë nga kompania “4 AM” e Ardit Metaliajt, pasi u skualifikuan dhe kompani të tjera të cilat kishin paraqitur oferta më të ulëta dhe plotësonin kriteret e kërkuara.
Ky projekt është propozuar nga Zyra Arsimore Tropojë vetëm përmes një relacioni të përgjithshëm, pa studim fizibiliteti, pa analizë funksionale dhe pa asnjë argument se ndërhyrja ishte prioritet emergjent në territor.
Ka qenë vetë kryetari i bashkisë, Rexh Byberi që ka miratuar projektin pa kërkuar asnjë dokument shtesë, duke pranuar një propozim të paplotë dhe duke e proceduar për financim nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve në kundërshtim me ligjin.
Një tjetër shkelje e kryebashkiakut të Tropojës është edhe projekti i rikonstruksionit të pesë segmenteve rrugore në fshatin Grin, Buljan, Cerrnikë dhe Tropojë. Ky projekt ka vlerën e katër milionë eurove, e cila edhe pse ka një shifër të madhe, në infrastrukturë nuk është hedhur ende as shtresa e asfaltbetonit, një përbërs ky mjaft thelbësor për jetëgjatësinë e investimit dhe sigurinë e qarkullimit.
Dhe jo vetëm. Ky veprim nuk është faturuar as nga kompanitë fituese të këtij projekte, “4 AM”, “FLORIDA” sh.p.k., dhe “VLLAZNIMI” sh.p.k.
Lënia e rrugës vetëm me binder e ekspozon të gjithë investimin ndaj dëmtimit të shpejtë dhe e kthen projektin në një rrezik të hapur financiar e teknik. Nga auditi vlerësohet se mungesa e kësaj shtrese ka një dëm ekonomik të mundshëm prej rreth 129 milionë lekësh, duke paralajmëruar se për hedhjen e tapetit në një moment të mëvonshëm do të kërkohet vendosja e një shtrese të re, e cila rrit shumë koston finale të investimit.
Përveç mungesës së shtresës së asfaltit, ka edhe mbifaturim për sinjalistikën rrugore. në terren janë gjetur më pak tabela nga ato që janë faturuar.
Madje punimet kanë kaluar përtej afateve, duke gjeneruar penalitete prej 4.9 milionë lekësh, të cilat Bashkia Tropojë nuk i ka aplikuar. Sipas auditit, kjo tregon tolerim të pajustifikuar në raport me kontraktorin.
Një amendament i datës 28 dhjetor 2021 është firmosur pasi afati i punimeve kishte përfunduar më herët, duke e bërë këtë akt të pavlefshëm ligjor dhe duke treguar shmangie të hapur nga procedurat ligjore.
Kjo praktikë e nënshkrimit të amendamenteve bie ndesh me kërkesat e ligjit dhe përgjegjësia i atribuohet drejtuesve të Bashkisë Tropojë. Raporti i KLSH adreson në mënyrë të drejtpërdrejtë përgjegjësinë e Kryetarit të Bashkisë Tropojë.
Theksohet po ashtu se delegimet janë kryer pa argumentim, pa dokumentim dhe pa respektim të kërkesave ligjore për formën, afatin dhe transparencën.
and then