Krahasimi i dy fazave, Dinamos i mungojnë pikët

Dinamo e këtij sezoni ka qenë si dy anët e medaljes! Shpeshherë, blutë kanë bindur si në lojë, ashtu ehde në rezultate duke shënuar e madje duke marrë edhe rezultate historike siç ishte derbi me Tiranën.

Por, blutë gjithashtu kanë shfaqur edhe oshilacione këtë sezon dhe kanë pësuar humbje apo edhe barazime të cilat, stafi teknik ndoshta nuk i priste. Pavarësisht paraqitjeve të mira që ka marrë dhe ecurisë pozitive gjatë sezonit, ka munguar vazhdimësia e 3 fitoreve radhazi dhe gjithmonë Dinamo është ndalur në 2 fitore, pasi ndeshjen e tretë e ka humbur ose e ka barazuar. Por, edhe nëse bëjmë një krahasim me fazën e parë, Dinamo ka më pak pikë këtë fazë duke treguar se i mungon vazhdimësia dhe sidomos rezultatet ndaj rivalëve direktë.

KRAHASIMI- Më poshtë është një krahasim mes 7 ndeshjeve të para të fazës së parë dhe 7 ndeshjeve që ka luajtur deri më tani në fazën e dytë. Blutë kanë bërë më mirë në fazën e parë sa i përket pikëve të marra duke qenë se në 7 javë, Dinamo e shihte veten në vendin e tretë me 11 pikë ku kishte arritur 3 fitore, dy humbje dhe 2 barazime. Por, faza e dytë nuk ka nisur në të njëjtën mënyrë. Në 7 javë e para të fazës së dytë, të besuarit e Dajës kanë një fitore më pak dhe janë aktkualisht në kuotën e 9 pikëve, ku kanë 2 fitore, 3 barazime dhe 3 humbje. Rezultatet që kanë ndryshuar nga faza e parë, janë ndaj Vllaznisë, të cilën e kishte mundur me rezultatin 3-1, ndërsa në të dytën humbi 1-0. Rritje ka bërë me Elbasanin dhe Teutën pasi në të parën është mundur dhe në të dytën ka barazuar ndërsa me Egnatian, në Rrogozhinë merrte një pikë ndërsa në shtëpi u mund me rezultatin 1-2.

GOLAT- Nëse shohim golat, Dinamo ka nisur të shënojë më shumë por njëkohësisht edhe të pësojë më shumë. Pas 7 javëve të para, blutë kishin 7 gola të shënuar dhe vetëm 4 të pësuar ndërsa në 7 javët e fazës së dytë, ka shënuar 11 gola dhe ka pësuar plot 6 të tillë. Mesa duket, pësimi i golave i ka ndikuar në rezultat më shumë Dinamos sesa shënimi i tyre megjithëse ka ende shumë javë në vazhdim, ku blutë mund edhe të bëjnë më mirë se fazën e parë. Një fazë ka 9 ndeshje dhe Dinamo do të luajë edhe 2 ndeshje të tjera për të mbyllur fazën e dytë dhe nëse merr 6 pikë ndaj Vorës e Partizanit, padyshim që viti do të mbyllej në një mënyrë mjaft të mirë, kur në fund do të ketë edhe Superkupën e Shqipërisë ndaj Egnatias.

KRAHASIMI ME VJET- Dinamo e këtij sezoni duket se është e uritur për titullin kampion dhe asnjëherë nuk e kanë mohuar diçka të tillë nëpër intervista as drejtuesit, as lojtarët dhe as stafi teknik i bluve. Por, gara në Superiore po bëhet e vështirë dhe këtë vit, ndryshe nga sezonet e fundit ka ndryshuar edhe formula e “Final 4” pasi çod pikë numërohet dhe çdo pikë ka shumë vlerë pasi në fund të sezonit, skuadrave do t’iu përgjysmohen pikët, duke marrë ekstremin më të ulët. E pikërisht kur skuadrave i duhen pikët, Dinamo ka një pikë më pak se sezonin e shkuar.

Aktualisht, blutë renditet në vendin e tretë me 26 pikë, 6 nga vendi i parë. Në të njëjtën pikë të sezonit vitin e shkuar, Dinamo kishte 27 pikë, vetëm 1 pikë më shumë se këtë sezon por diferenca me vendin e parë ishte më e ngushtë. Asokohe, kampionati kryesohej nga Partizani që kishte 29 pikë, 2 më shumë se Dinamoja që e ndiqte si vend i dytë. Sa i përket golave të shënuar dhe atyre të pësuar, këtë sezon Dinamo ka një mbrojtje shumë solide në krahasim me vjet, por sulmi nuk është në nivelin e duhur. Largimi i Zabërgjës dhe Itodos, vazhdon të ndihet. Kështu, sezonin e shkuar Dinamo kishte shënuar 26 gola, kundrejt 22 golave që ka shënuar këtë sezon duke pasur një bilanc pozitiv prej 4 golash. Por, problemi i Dinamos ishte pësimi i tyre duke qenë se vjet skuadra e Dajës (javët e para u drejtua nga Dritan Mehmeti) kishte pësuar plot 18 gola në 16 javët e para. Këtë sezon, Dinamo ka pësuar vetëm 10 gola, 8 më pak se vjet. Sa i përket bilancit të ndeshjeve, Dinamo ka fituar 7 ndeshje këtë sezon, aq sa edhe vjet por këtë sezon ka një humbje më shumë e një barazim më pak.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×